Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti fjalën e tij në seancën që bëri bashkë dy parlamentet, Shqipërinë dhe Kosovën, duke iu drejtuar të pranishmëve në Kuvend me bilancet e konkluduara mes dy qeverive.

“Si kryesues i qeverisë së Kosovës, shpreh kënaqësinë që Kuvendi i dy shteteve të bëjnë bilancin dhe vlerësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhje të përbashkëta qeveritare dhe që besojnë që mbulojnë të gjitha fushat e veprimit shtetëror. Që nga mbrojtja, infrastruktura, bujqësia, shkëmbimet tregtare, tregu i përbashkët energjetik, turizmi, lëvizja ndërkufitare pa kontrolle, njohja e kontributeve shoqërore për efekt të pensioneve, njehsimi i teksteve shkollore, organizimi i veprimtarive të përbashkëta artistike e sportive, reduktimi i procedurave administrative, etj. Rezultatet e deritanishme të këtyre marrëveshjeve janë të prekshme për qytetarët dhe nxitëse për të vijuar më tej këtë rrugë”, tha Kurti.

“Shqipëria është ndër pesë vendet e para me të cilat Kosova ka vëllimet më të mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milionë euro. Tregu i përbashkët energjetik Albeks Albanian Power Exchange është funksional. Lëvizja pa asnjë kontroll i qytetarëve në kufi për një kufi për një periudhë 9 mujore dhe përgjatë fundjavave dhe festave shtetërore dhe për tre muajt e mbetur ndërkohë që po punohet për heqjen e kontrollit përgjatë tre viteve”, shtoi ai.

Më pas, kryeministri u ndal tek puna në shërbim të qytetarëve, duke sjellë në vëmendje dhe Luginën e Preshevës, ku jeton një komunitet etnik i shqiptarëve në Serbi. Ai tha se ky rast duhet të jetë shembull për Shqipërinë.

“Kemi punë përpara, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, edhe për të ndihmuar sigurinë e jetesës së shqiptarëve në vendet fqinje, në Maqedoni, në Malin e Zi, sidomos Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Europë, prandaj meritojnë vëmendjen më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milionë Euro për Luginën e Preshevës. Le të jetë si shembull për Shqipërinë.”

Në fund, Kurti foli dhe për agresionet e Rusisë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe sulmet që kanë ndodhur në vitet e fundit në territoret e Kosovës ku fajëson Serbinë.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe në kanalin e ujësjellësit në Ibër Lepenc, nga veriu në jug që vijnë nga e njëjta adresë, Serbia dhe nëse nuk është Serbia, është Rusia dhe Serbia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e Aleancës dhe ne besojmë se Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë”, u shpreh ai./tvklan.al