Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është thirrur nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit, më datën 16 Dhjetor.
Një zhvillim që duket i papritur, por që ka shkaktuar reagime të menjëhershme brenda qeverisë. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryezi, i cili bëri publike këtë thirrje, e cilësoi këtë si një lëvizje me prapavijë politike.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia pamundësoi kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tani përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, tha ai.
Kryeziu bëri të ditur se njoftimi i Prokurorisë iu bë e ditur në momentin kur Kurti ishte në një takim të Kryesisë së Vetëvendosjes, për të përcaktuar kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit të vitit të ardhshëm.
Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, që kanë thirrur Kurtin, janë prokurorë specialë nga Departamenti për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar. Mësohet se kryeministri i Kosovës është thirrur për të dëshmuar për hetimet e nisura lidhur me abuzimet për çështjen e Rezervave Shtetërore të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.
Tv Klan