Kreu i BDI-së u pyet në cilësinë dëshmitarit
Në orën 9 e 30 të mëngjesit ka nisur intervistimi i kreut të BDI-së së Maqedonisë së Veriut Ali Ahmeti nga Prokurorët e Specializuar të Gjykatës Speciale.
Intervistimi ka zgjatur rreth 8 orë ndërsa është mbajtur në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë një pjesë e së cilave shfrytëzohet nga Gjykata Speciale për të intervistuar personat, të cilët për ndonjë arsye të caktuar nuk kanë mundësi që të udhëtojnë për në Hagë.
Ahmeti është intervistuar nga zyra e prokurorit të specializuar në cilësinë e dëshmitarit konfirmojnë nga BDI-ja. Ai është pyetur për rolin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmeti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas intervistimit nuk është deklaruar për media. Ai do të paraqitet edhe nesër për të vazhduar marrjen në pyetje nga prokurorët e specializuar.
Në Qershor të këtij vitit është publikuar aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, kreut të PDK-së Kadri Veseli dhe 10 personave të tjerë për krime lufte, por që ende aktakuza nuk është konfirmuar nga Gjykata Speciale.
Tv Klan