Gjykata për mbi 2 orë ka dëgjuar Alqi Bllakon i cili u mbrojt përballë akuzës së prokurorisë, korrupsion pasiv. Ai deklaroi gjatë seancës se nuk ka marrë asnjë vendim apo të ketë firmosur ndonjë dokument për inceneratorin e Tiranës.
“Unë deklarohem tërësisht i pafajshëm. SPAK nuk ka arritur të provojë asnjë shkelje ligjore nga ana ime në lidhje me detyrën time funksionale. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka pasur asnjë rol në këtë procedurë, madje nuk kam marrë pjesë as si vëzhgues në mbledhjen e komisionit për dhënien e koncesionit”, tha Bllako.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit kundërshtoi edhe pretendimin e SPAK se ka punësuar Vladimir Bezhani si këshilltar në ministri, i cili i siguronte informacionet Klodian Zotos për të gjithë procedurën e koncesionit.
“Ai është punësuar në Nëntor të 2014. Ndërsa ideja për ndërtimin e impiantit të Tiranës ka nisur në Dhjetor 2015. Procedura ka nisur në 2016 dhe kontrata është lidhur në Gusht të 2017. Zoti Bezhani nuk është pjesë e rrethit tim shoqëror, as familjar. Unë nuk e kam njohur zotin Bezhani. E kam njohur në 2017 kur kam nisur punën si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit”, tha Bllako.
Pasi dëgjoi të akuzuarin dhe avokatin e tij, gjykata vendosi të shtyjë seancën për në datën 11 Mars, ku dhe pritet të jepet vendimi.
SPAK ka kërkuar për Alqi Bllakon dënimin me 5 vite burg dhe nëse shpallet fajtor ai do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për inceneratorin e Tiranës disa ditë më parë prokurorët e SPAK lexuan pretencën edhe për 11 zyrtarë të tjerë, mes tyre dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.
Tv Klan