Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës të shpallë fajtor për përfshirje në korrupsion ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe ta dënojë atë me 5 vite burg.
Bllako po gjykohet për dosjen ku u hetua koncesioni i inceneratorit të Tiranës me procedurë të shkurtuar dhe në rast dënimi do të përfitojë edhe ulje të tij në masën e 1/3-ës.
Gjithashtu, SPAK kërkoi edhe 5 vite heqje të drejtës për të ushtruar funksione publike, si dënim plotësues ndaj ish-zyrtarit.
Prokuroria e Posaçme sqaroi në pretencën e lexuar këtë të premte se Bllako përfitoi nga Klodian Zoto dy raste pagesash. Njëra për blerjen e një pajisje për biznesnin e babait të tij.
Rasti tjetër është kërkimi i pagesës për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që ai të vijonte punën në shtet dhe të ishte ndihmues në procedurat koncensionare.
Për dosjen e inceneratorit të Tiranës, në gjyq në një proces më vete po gjykohen edhe 11 ish zyrtarë të tjerë, mes tyre ish ministrit I Mjedisit, Lefter Koka, me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.
8 persona të tjerë biznesmenë gjithashtu janë në kërkim për të njëjtin hetim. Ata dyshohen se si një grup kriminal, në krye të të cilit qëndronte Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përvetësuar paratë e përfituara nga koncesioni.
Tv Klan