Seanca për ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllakon në lidhje me inceneratorin e Tiranës është shtyrë për në 11 Mars, ora 13:30. Gjatë gjyqit ditën e sotme, avokatët e Bllakos kërkuan pafajësi.

Siç raportoi gazetarja Glidona Daci, mbrojtja e tij, theksoi se projekt-ideja për ndërtimin e inceneratorit është dhënë nga Bashkia e Tiranës.

Sipas mbrojtjes Alqi Bllako ka bërë thjesht siglime të shkresave, të cilat i ka pasur për detyrë për shkak të funksionit të tij.

Avokatët thanë se Alqi Bllako, nuk ka përfituar para nga kjo çështje.

Kujtojmë se SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme ta dënojë me 5 vit burg ish-deputetin socialist Alqi Bllako. Nëse Bllako do të dënohet nga GJKKO, ai do të përfitojë ulje të dënimit me 2 të tretën. Sipas Prokurorisë, Bllako gjithashtu nuk duhet të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Alqi Bllako dyshohet se ka përfituar 119 mijë Euro në mënyrë të parregullt. Sipas SPAK, këto para i ka përfituar në dy raste pagesash.

Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare./tvklan.al