SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme të dënojë me 5 vit burg ish deputetin socialist Alqi Bllako. Prokuroria kërkoi nga togat e zeza ta shpallë atë fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendor.
Kjo kërkesë u paraqit gjatë seancës për koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Nëse Bllako do të dënohet nga GJKKO, ai do të përfitojë ulje të dënimit me 2 të tretën. Sipas Prokurorisë, Bllako gjithashtu nuk duhet të ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Alqi Bllako dyshohet se ka përfituar 119 mijë Euro në mënyrë të parregullt. Sipas SPAK, këto para i ka përfituar në dy raste pagesash. Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare.
Për inceneratorin e Tiranës disa ditë më parë prokurorët e SPAK lexuan pretencën edhe për 11 zyrtarë të tjerë, mes tyre dhe ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ata po gjykohen në një tjetër çështje, ndërsa në kërkim janë dhe 8 persona të tjerë.
Zyrtarët që akuzohen për shpërdorim detyre dhe të shpallurit në kërkim sipas SPAK kanë vepruar si grup kriminal në krye të të cilit qëndronte Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Klan News