Ish-futbollisti i Kombëtares, Altin Rraklli, për “Klan News”, deklaroi se Shqipëria po rritet nga ndeshja në ndeshje. Sipas tij, grupi në Ligën e Kombeve është shumë i balancuar dhe me të njëjtin nivel të skuadrave.

Ndër të tjera, Rraklli tha se Shqipëria është një skuadër në rritje dhe nuk e ka luksin për të neglizhuar një ndeshje.

“Të katërta skuadrat pretendojnë për vendin e parë, por të katërta skuadrat mund të dalin në vend të fundit. Është një grup i balancuar. Është shumë e rëndësishme ndeshja me Çekinë. Futbolli është shumë kompleks. Ne jemi skuadër që po rritemi dhe nuk e kemi luksin të kemi neglizhime apo mendjemadhësi ndaj këtyre skuadrave. Nuk ka më ekipe të vogla. Në çdo ndeshje duhet angazhim maksimal. Çekët na goditën në momente të veçanta. Kjo nuk duhet të ndodhë më, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme.”  

Rraklli deklaroi se në katër ndeshjet që ka luajtur Shqipëria deri tani, dy kanë qenë shumë të mirë, ndërsa dy të tjera jo të mira. Ai tha se skuadra kuqezi duhet të ketë përqendrim maksimal ndaj Çekisë.

“Në këto katër ndeshje që kemi luajtur, do i ndaja dy ndeshje të mira dhe dy ndeshje jo shumë të mira. Ndeshja e parë me Ukrainën ishte perfekte. Vinim nga Europiani dhe ishim me ndjesinë e mirë. Nëse mendojmë se Ukraina është e dobët, e kemi shumë gabim. Janë skuadër shumë e mirë. Nuk mendoj se ka grup tjetër që skuadrat janë në të njëjtin nivel si këtu. Liga e Kombeve, është e sajuar për të anashkaluar ndeshjet miqësore. Ndoshta nuk e ka përqendrimin dhe seriozitetin e duhur dhe kjo është arsyeja përse në ndeshje të veçanta nuk jemi shumë të përqendruar. Në këto dy ndeshje, jam i sigurt që Shqipëria do të japë maksimumin.”

Sipas Rrakllit, Çekia do të vijë në Shqipëri, me të njëjtin angazhim si në Pragë, aty ku fituan me rezultatin 2-0. Ish-lojtari tha se e rëndësishme është që kuqezinjtë të mos humbasin në këtë takim, pasi do të jetë një tjetër ndeshje dhe vendi i dytë në renditje nuk do të ishte keq.

“Unë nuk e di si do shkojë ndeshja, por jam i sigurt që Çekia do të jetë me të njëjtin angazhim si në Pragë. Nuk e bëjnë më të njëjtin gabim siç bënë një vit më parë, ku vinin vetëm për fitore. Nuk mendoj se do të na sulmojnë me forca të shtuara. Do luajnë të mbyllur dhe do shfrytëzojnë rastet. Mbetet të shihet, sepse futbolli nuk ka gjëra ekzakte. Ata do të vijnë të luftojnë me të njëjtën dëshirë si në Pragë.

Nëse nuk ke mundësi të fitosh, ruaj barazimin, sepse e ke një pikë në xhep. Nëse do kishim barazuar me Gjeorgjinë në shtëpi, do të ishim në situatë tjetër. Me Çekinë, na duhet fitorja, por kemi edhe një ndeshje tjetër, thjesht nuk duhet ta humbasim këtë ndeshje, sepse vendi i dytë nuk është i keq”, deklaroi Altin Rraklli.

Ndeshja Shqipëri-Çeki, do të luhet më 16 Nëntor në “Air Albania”, ndërsa transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan.

/tvklan.al