Në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe, ambulanca e morgut ka marrë trupat e pajetë të dy kushërinjve Klement Papaj dhe Vilson Çutaj. Dy viktimat u gjetën të vrarë me armë në një zonë të pyllëzuar.
Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, Klement Pepaj është qëlluar me një plumb në ballë, ndërsa Vilson Çutaj është qëlluar me dy plumba në pjesën e barkut. Dyshohet se autor i vrasjes së dy të rinjve është Danjel Pepaj, kushëriri i tyre. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se ka qenë babai i Danjel Pepajt që ka shoqëruar policinë deri në vendin ku u gjetën të vrarë dy kushërinjtë. Pak metra larg vendngjarjes, efektivët konstatuan edhe një parcelë me kanabis sativa.
Tvklan.al publikoi më herët pamje kur policia digjte kanabisin në një parcelë të evidentuar në fshatin Vrith.
Tre të rinjtë, kushërinj me njëri-tjetrin, u raportuan të zhdukur që prej 3 Tetorit. Mes tyre ka patur një konflikt, për vjedhjen e 50 kg kanabis nga një parcelë, për të cilën dy viktimat dyshonin tek kushëriri i tyre Danjeli. Pasi shkuan të tre për të marrë kanabisin e vjedhur që ishte fshehur në një zonë malore, Danjel Pepaj dyshohet se ekzekutoi me armë Klement Papajn dhe Vilson Çutajn. Danjel Pepaj është shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar. /tvklan.al