Përmes një lidhjeje direkte nga New York, gazetari Blendi Fevziu dhe analisti Berat Buzhala komentuan rikthimin e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Për Fevziun, 3 pikat kyçe në të cilat u bazua fushata e Trump i bëri amerikanët që ta votëbesonin. Fitoren e tij e cilësoi spektakolare.
“Ai ka fituar edhe votën popullore dhe ka bërë një fitore spektakolare. Rrezikon të fitojë në 7 shtete kryesore. Ka arritur një fitore që prej kohësh amerikanët se kanë patur në këto përmasa. Ka rikthyer Senatin, Kongresin dhe njëkohësisht Presidentit me një diferencë të votës popullore dhe të Kongresit Zgjedhor. Pjesa më e madhe kanë votuar për ekonominë,13% në bazë të abortit dhe 11% për emigracionin ilegal. Trump pati mundësinë t’u thoshte amerikanëve që 4 vite më parë ekonomia ka qenë më mirë se sot. Lider karizamtik, ndërsa Harris ishte si përzgjedhje mes demokratëve, figurë kompromisi pasi Biden e kishte të pamundur të ishte në betejë.”
Të dy ranë dakord në një pikë, që Amerika zgjodhi presidentin e saj dhe jo atë që priste bota.
Berat Buzhala: Unë mendoj që është hera e parë që prej Luftës së Dytë Botërore që Amerika do ndryshojë trajektoren e politikës globale. Amerika s’ka votuar prej pritshmërive të botës, ka zgjedhur një President për veten, jo për botën.
Blendi Fevziu: I ka kaluar pritshmëritë tona, por mesa duket jo të amerikanëve sepse me pjesën më të madhe që kam folur, ka pasur pritshmëri për fitoren e Trump. Por atmosfera mediatike ka qenë me Harris.
Analisti paralajmëroi ndryshime dramatike në kursin e politikës globale.
“Do kemi zhvillime rreth NATO-s, Ukrainë, Lindjes së Mesme e Tajvanit.”
Ndërsa për qasjen e Amerikës ndaj Kosovës, nën drejtimin e Trump, u shpreh kështu:
Ne kemi një kryeministër që fatkeqësisht imponohet në mënyrë qesharake si aktor i poliitkave globale, po të jetë i mençur ul kokën dhe pajtohet. Para 4 viteve e ka mbështetur padrejtësisht Biden, raportet me administratën e Trump janë të këqija, por nëse është i zgjuar e bën një komunikim normal me ta. Ata e urrejnë kur liderë të vegjël të globit provojnë që të përzihen në politikën amerikane.
Fevziu theksoi se raporti SHBA-Shqipëri nuk do pësojë asnjë ndryshim.
“Nuk besoj që politika e Uashington në raport me Shqipërinë do ketë ndryshime thelbësore. Ka qenë e njëtrajtshme, natyrisht ka disa raporte më të favorshme. Ndoshta fitorja e Trump mund ta shpejtojë projektin në Sazan. Raportet janë me SHBA-në dhe jo me partitë.”
/tvklan.al