Çështja e Kosovës ende nuk është futur në axhendë të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku edhe pritej votimi për anëtarësimin e saj të plotë në këtë organizatë.
Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti konfirmoi se Kosova nuk ka pranuar që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nga kjo organizatë kanë bërë të ditur se në këto momente, Kosova ende nuk është në axhendë.
Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit dhe qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti se nuk e pranon kushtëzimin për themelimin e Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në Këshill të Evropës. Hoti ka publikuar një listë prej 14 organizatave ku është anëtarësuar Kosova dhe ka thënë se kur koordinohesh me aleatët nuk kushtëzohesh, por anëtarësohesh.
Analisti Arton Demhasaj konsiderOn se kryeministri Kurti nuk do të duhej të humbiste shansin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Albin Kurti një ditë më parë e ka quajtur absurd kushtëzimin e të dyja shteteve që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën e gjelbert nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Tv Klan