49 emigrantë ilegalë do të mbërrijnë nga Italia mëngjesin e së martës në portin e Shëngjinit. Agjencia e lajmeve ANSA njofton se anija e marinës italiane Kasiopea është nisur drejt bregdetit shqiptar me emigrantë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare pranë Lampeduzës.  

Mbërritja e tyre ishte parashikuar për të hënën, por një defekt në anijen ushtarake ka shtyrë mbërritjen e tyre me 24 orë në brigjet shqiptare. Sipas burimeve bëhet fjalë për emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi.

Ministria e Brendshme italiane njoftoi se 53 emigrantë të tjerë të shpëtuar kanë pranuar të paraqesin dokumente identifikimi me qëllim evitimin e dërgimit në Shqipëri.

Kjo do të jetë hera e tretë që autoritetet italiane sjellin emigrantë në vendin tonë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive. Dy dërgesat e para, në Tetor dhe Nëntor të vitit të kaluar dështuan pasi gjykatat italiane nuk aprovuan qëndrimin e tyre në Shqipëri duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm të tyre përtej Adriatikut.

Vendet e origjinës së tyre si Bangladeshi dhe Egjipti, nuk u konsideruan si të sigurta në të gjithë territorin e tyre nga Gjykata e Romës. Më pas qeveria italiane nxori një dekret të veçantë për përcaktimin e vendeve të sigurta, por që nuk u mor parasysh nga gjykata.

Në 30 Dhjetor 2024 ishte gjykata e Kasacionit që duket se i dha të drejtë kryeministres Meloni e cila deklaroi asokohe se secili shtet ka të drejtë që të këtë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta. Për këtë çështje pritet të shprehet edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë.

Tv Klan