Vetëm 44 nga 49 emigrantët e mbërritur një ditë më parë në Shëngjin janë akomoduar tashmë në Kampin e Gjadrit. Siç raporton gazetari i Klan News Martin Marku, 5 prej tyre u rikthyen mbrëmjen e kaluar drejt Italisë me anijen ushtarake “Cassiopea”, pasi shfaqën probleme shëndetësore. Disa prej tyre ishin edhe minorenë.

Pas qëndrimit për më shumë se 10 orë në qendrën pritëse të Shëngjinit, dërgimi i emigrantëve drejt kampit u bë në grupe. I pari grup shkuan rreth orës 21:30 të së Martës, ndërsa pjesa tjetër gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.


Tashme me kryerjen e procesit të regjistrimit, kontrolleve shëndetësore dhe një sërë shërbimesh të tjera, emigrantët do të aplikojnë për azil. Brenda një afati 30 ditor, ata do të marrin një përgjigje nëse janë përfitues ose jo.

Ky grup i tretë i emigrantëve mbërriti pas 2 muajsh pezullim te marrëveshjes Rama-Meloni për shkak të vendimeve të gjykatave në Itali që urdhëruan në dy rastet e para, dërgimin e emigrantëve në vendin fqinj. Kjo pasi Gjykata e Romës nuk konfirmoi si të ligjshëm ndalimin e tyre për shkak se vendet e tyre të origjinës nuk ishin “të sigurt” në të gjithë territorin e tyre. Për këtë, qeveria italiane miratoi një dekret të veçantë që sipas saj u mbështet edhe nga Gjykata e Kasacionit.

Megjithatë fjalën e fundit për këtë çështje do ta thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë që pritet të shprehet në 25 Shkurt. 

/tvklan.al