Vendi i nderit i Shqipërisë në panairin e turizmit në Berlin vijon të tërheqë vëmendjen e mediave kryesore gjermane. Është “Focus Online” që thotë se Shqipëria impresionoi vizitorët e këtij panairi me diversitetin e saj.

Në shkrim thuhet se dikur Shqipëria ishte një vend thuajse i parëndësishëm në skenën gjeopolitike, por tashmë është pozicionuar si një kandidate serioze për në Bashkimin Evropian. Shkrimi citon studiuesin Thomas Druyen që thotë se Shqipëria mund të bëhet magneti i i turizmit europian.

Sipas tij bashkë me konsolidimin politik, Shqipëria ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik. Theksi vihet tek vëmendja që i është kushtuar zhvillimit të infrastrukturës, turizmit dhe sektorit të energjisë së rinovueshme.

Shkrimi i gjatë i medias gjermane nënvizon se krahas turizmit klasik të plazhit dhe atij kulturor, Shqipëria po tërheq vizitorë edhe për ekoturizmin me peizazhet e pacënuara në Alpe dhe lagunat bregdetare.

Të tjera sektorë që po tërheqin vizitorë është edhe turizmi i aventurës, por edhe ai shëndetësor përmes zhvillimit të banjave termale. Media gjermane vlerëson gastronominë, por edhe mikpritjen e banorëve vendas.

Tv Klan