Një anije me pronësi shqiptare është rrëmbyer nga piratët në Gjirin e Guineas në Afrikë. Nga mediat e huaja mësohet se anija STEVIA kishte flamur kamerunas ndërsa pjesa më e madhe e ekuipazhit përbëhej nga shtetas ukrainas. Ka qenë vetë Ministria e Jashtme e Ukrainës që ka konfirmuar që se 6 prej 8 anëtarëve janë ukrainas, ndërkohë që nuk dihet shtetësia e 2 anëtarëve të tjerë të ekuipazhit.
Mësohet se piratët e sulmuan anijen me pronësi të një kompanie shqiptare 52 kilometra në jugperëndim të Brass-it, Nigeri. Anija po udhëtonte nga Porti Harcourt drejt Bregut të Fildishtë.
Vendndodhja aktuale e anijes, identiteti i piratëve apo dhe natyra e rrëmbimit mbetet ende e paqartë. Autoritetet lokale në Nigeri nuk kanë bërë publike nëse kanë marrë ndonjë kërkesë për shpërblim në këmbim të lirimit të marinarëve.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme ukrainese, Oleg Nikolenko, deklaroi disa ditë më parë se qeveria e tij është në dijeni të situatës. Sipas burimeve nga ky institucion ngjarja ka ndodhur më datë 16 Dhjetor.
“Jemi në dijeni të situatës. Si rezultat i një sulmi piratësh mbi një anije në brigjet e Nigerisë më 16 Dhjetor. 8 anëtarë të ekuipazhit janë kapur, duke përfshirë 6 qytetarë ukrainas”, tha ai.
Sipas diplomatit, ambasada ukrainase po kryen veprimet e nevojshme si në Nigeri dhe në Shqipëri pasi anija STEVIA ka pronarë shqiptarë. Në këtë zonë ka një aktivitet të rritur të piratëve. Ata shënjestrojnë anije komerciale, transportues, anije mallrash dhe ekuipazhet e tyre./tvklan.al