Apple Intelligence do të prezantohet të hënën, por puna për të nuk ka përfunduar ende.

Përdoruesit që kanë iPhone 15 Pro ose çfarëdo modeli iPhone 16 si dhe iPad e Mac me çipe të serisë M, mund ta përdorin pasi të kenë shkarkuar iOS 18.1, iPadOS 18.1 dhe MacOS Sequpia 15.1.

Apple AI do të dalë në SHBA e më pas në Australi, Kanada, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor. Përdoruesit në Europë e vende të tjera do mund t’i provojnë këto risi vitin e ardhshëm.

Por disa nga mjetet e Apple AI si aftësia e Siri për të kuptuar informacionin kontekstual dhe të ndërmarrë veprime në aplikacione të ndryshme, nuk do të jenë të disponueshme në përditësimin e parë dhe do të shtohen vitin tjetër.

Ndryshe nga konkurrentët, Apple nuk po nxiton me implementimin e Inteligjencës Artificiale pasi synon t’i japë përparësi privatësisë dhe përgjegjshmërisë.

Por çfarë risish do të sjellë e hëna?

Përmbledhja e njoftimeve

Një nga gjërat që do të kursejë kohë është përmbledhja dhe renditja e mesazheve. Përdoruesit mund të lexojnë përmbledhje të njoftimeve nga aplikacione të ndryshme. Ndërkohë Focus do të nxjerrë në pah vetëm njoftimet akute si dhe do t’u japë prioritet mesazheve në Mail.

Mjete shkrimi dhe transkriptimi

Ndihma në të shkruar mund të ndihmojë në rishkrimin, korrijgimin dhe përmbledhjen e tekstit në Mail, Notes, Pages dhe aplikacione të palëve të treta. Megjithatë, ka shumë mjete që ofrojnë diçka të tillë. Avantazhi i Apple AI thjesht mundëson që mos të ketë programe të palëve të treta. Veç kësaj, përdoruesit mund të regjistrojnë, transkriptojnë dhe përmbledhin materialet audio në Notes dhe Phone.

Përmirësim i lehtë i Siri

Siri i përmirësuar dhe më i zgjuar pritej të ishte një nga opsionet më të mira të Apple Intelligence, por asistenti virtual nuk është ende në këtë gjendje. Siri do të ketë një dizajn të ri dhe mund të ndjekë përdoruesit kur ata ngecin me fjalët si dhe të ruajë kontekstin nga një kërkesë te tjetra. Gjithashtu mund të  kuptojë tekstin e shkruar dhe t’u përgjigjet pyetjeve për opsionet dhe cilësimet e pajisjeve Apple. Megjithatë, krahasuar me premtimin  e Apple, aftësitë janë shumë të limituara. Siri s’mundet ende të kryejë veprime për llogari të përdoruesit dhe të kujtojë emrat e adresat.

Përpunimi i fotove

Opsioni Clean Up do të përdorë Inteligjencën Artificiale për të hequr objektet nga fotot. Gjithashtu në Memories mund të krijohen video duke bërë vetëm një përshkrim, ndërsa kërkimi përmes zërit mundëson gjetjen e fotove ose momenteve specifike në video./tvklan.al