TikTok paralajmëroi se do të mbyllë aplikacionin në Shtetet e Bashkuara të dielën nëse administrata e Presidentit Joe Biden nuk u jep garanci kompanive si Apple dhe Google se ato nuk do të përballen me veprime detyruese kur ndalimi të hyjë në fuqi.

Deri tani Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ndonjë koment. Deklarata vetëm pak orë pasi Gjykata e Lartë Amerikane miratoi një ligj që ndalon TikTok në Shtetet e Bashkuara për arsye të sigurisë kombëtare nëse kompania e saj mëmë kineze ByteDance nuk e shet atë.

TikTok refuzoi ofertat për blerje, njëra prej të cilave u bë nga miliarderi Elon Musk. Vendimi 9-0 i gjykatës do prekë 170 milionë përdoruesit e tij amerikanë. Gjithçka mbetet në duart e Donald Trump, i cili është zotuar të shpëtojë TikTok pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Trump kishte qenë në favor të mbylljes së TikTok në 2020-ën, por tashmë është rreshtuar në krahun e atyre që kërkojnë shpëtimin e tij. Trump tha se ai dhe presidenti kinez Xi Jinping diskutuan për TikTok në një telefonatë që patën të premten.

Ligji për largimin e kompanisë kineze u miratua nga një shumicë dërrmuese dypartiake në Kongres vitin e kaluar dhe u nënshkrua nga Biden, megjithëse tashmë janë të shumtë ligjvënësit që kërkojnë mbajtjen e TikTok.

Administrata e Biden thotë se Kina mund të përdorë TikTok për të grumbulluar të dhëna për miliona amerikanë për ngacmime, rekrutime dhe spiunazh.

Tv Klan