Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Prishtinës, Arben Vitia ka pranuar humbjen e garës në kryeqytet.
Derisa janë numëruar mbi 98 përqind të votave nga rundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, sipas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garën në Prishtinë e ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama me 51 përqind.
Në një konferencë për mediat, Përparim Rama u zotua se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës. “Unë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.
Në anën tjetër, po në konferencë për mediat, kandidati i LVV-së, Arben Vitia i ka uruar fitoren Ramës duke dhënë edhe arsyet pse mendon se i ka humbur këto zgjedhje,
“Prishtinës i dëshiroj suksese. Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar”, tha ai.
Në raundin e balotazhit të mbajtur më 14 nëntor, dalja në zgjedhje ishte rreth 38 përqind.
Pas shpalljes së rezultateve preliminare, në ditët në vazhdim pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe votat që erdhën prej jashtë vendit.
Raundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë raund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj./REL