Kryeministri Edi Rama ndodhet në vizitë në Kosovë ku gjatë një konference për shtyp me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se hekurudha Durrës-Prishtinë është në rrugën e duhur dhe aktualisht është në proces analizimi. Ai e konsideroi këtë projekt të përbashkët mes dy qeverive.
Kreu i qeverisë theksoi se e rëndësishme është që Shqipëria 2030 të jetë një vend ku kantieri i hekurudhës Durrës-Prishtinë të jetë i hapur.
Edi Rama: Ky është një projekt që e kemi në trajtim bashkë me qeverinë e Kosovës. Ne punojmë bashkë dhe të tjerat janë barcaleta për thashetheme mediatike. Në thelb ne punojmë bashkë dhe hekurudha Durrës-Prishtinë i është nënshtruar një analize. Do duhet të presim studimin dhe pastaj do fillojmë procesin e financimit. Nuk janë vepra që i themi sot dhe fillojnë sot, kërkojnë kohën e tyre të maturimit. Rëndësi ka që Shqipëria e 2030 të jetë një vend ku kantieri i hekurudhës Durrës-Prishtinë të jetë i hapur. Pastaj varet nga shumë gjëra realizimi, por kjo është futur në rrugë dhe nuk është një premtim qe kalon bashkë me fushata dhe zgjedhje, por është një projekt i përbashkët i dy qeverive.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama iu bëri thirrje investitorëve të Kosovës që të vijnë të investojnë edhe në Shqipëri. Rama tha se ata nuk duhet të ndihen si investitorë të huaj, pasi Shqipëria është shtëpia e tyre.
Edi Rama: Unë dua të shtoj që më vjen shumë mirë që kohët e fundit ka një numër në rritje të sipërmarrësve nga Prishtina, por edhe nga komuna të tjera të Kosovës që interesohen për të investuar në Shqipëri dhe përfitoj nga rasti që t’ju them edhe të tjerëve që Shqipëria është shtëpia juaj dhe ju nuk jeni investitorë të huaj në Shqipëri, por jeni investitorë shqiptarë. Në Shqipëri punët po shkojnë shumë mirë për investimet, turizmin dhe të gjithë ata që po bvijnë qoftë si turistë, sipërmarrës kështu që dëshiroj shumë që të shoh sa më shumë sipërmarrës nga Kosova që tysë vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në çdo sektor që ata duan./tvklan.al