Prokuroria merr më shumë kohë për pretendimet
Arbër Paplekaj, i vënë në akuzë për vrasjen e shtetasit Pjerin Xhuvani disa ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, në qytetin e Elbasanit ka dalë këtë të premte para gjykatës. Ai kërkoi në seancën paraprake rikthim të dosjes për hetime dhe rishqyrtim të disa prej akt ekspertimeve të kryera nga Prokuroria.
Kjo e fundit kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me kërkesat e bëra nga mbrojtja duke bërë që procesi të shtyhej në 3 Tetor.
Bashkë me Paplekajn, si të pandehur për këtë dosje janë marrë për shpërdorim detyre edhe dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, si dhe 6 policë të forcave “Shqiponja”. Kjo pasi rezultoi se ata nuk kanë vepruar për shuarjen e sherrit që degradoi në përplasje me armë.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në 21 Prill pas një konflikti të nisur në lagjen “5 Maji”. Shkak u bënë dyshimet se një person po shpërndante para për sigurimin e votave për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare.
Kjo solli përplasje me strukturën për mbrojtjen e votës nga Partia Demokratike, pjesë e së cilës ishte edhe autori Arbër Paplekaj.
Tv Klan