Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit që kanë arritur mbi rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakh.
Të dyja palët kishin rënë dakord për armëpushimin që do të hynte në fuqi mesnatën e së shtunës. Por një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë tha se Azerbajxhani theu marrëveshjen pas 4 minutash pasi hyri në fuqi armëpushimi, duke qëlluar me artileri. Nga ana tjetër, edhe Azerbajxhani akuzoi më vonë Armeninë për shkelje të armëpushimit.
Të dyja vendet ranë dakord një javë më parë duke nënshkruar armëpushim me ndërmjetësimin e Rusisë. Por pavarësisht arritjes së marrëveshjes, përplasjet luftarake vijuan.
Luftimet filluan muajin e kaluar në rajonin e diskutueshëm të Nagorno Karabakh. Ky rajon është zyrtarisht pjesë e territorit të Azerbajxhanit, por drejtohet nga armenët etnikë. Qindra persona kanë vdekur nga luftimet. /tvklan.al