Azerbajxhani ka thënë të hënën se Moska i ka premtuar se do t’i ndëshkojë përgjegjësit për rrëzimin e një avioni të kompanisë “Azerbaijan Airlines”, për të cilin Bakuja beson se është rrëzuar nga mbrojtja ajrore ruse. Avioni është rrëzuar në Kazakistan më 25 dhjetor, duke vrarë 38 prej 67 njerëzve në bord. Incidenti ka nxitur shumë kompani ajrore që t’i anulojnë fluturimet në Rusi, përfshirë linjën ajrore izraelite El Al, e cila ka thënë të hënën se do t’i pezullojë fluturimet drejt Moskës deri në fund të marsit.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka kërkuar prej Moskës që të pranojë përgjegjësinë, ndërsa Rusia nuk e ka konfirmuar që një raketë e mbrojtjes së vet ajrore e ka goditur avionin, ndonëse presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë Aliyevit përmes telefonit në fundjavë që sistemet kanë qenë aktive në atë kohë, dhe i vjen keq që incidenti ka ndodhur në hapësirën ajrore ruse.
Prokurori i Përgjithshëm i Azerbajxhanit ka thënë të hënën se shefi i Komitetit Hetues në Rusi, i ka thënë Bakusë se janë duke u ndërmarrë masa intensive për të identifikuar fajtorët dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë.
Rusia ka thënë se e ka nisur hetimet e veta për incidentin, mirëpo nuk është deklaruar nëse pajtohet që avioni është goditur prej mbrojtjes së vet ajrore. Aliyevi ka qenë i ashpër në dënimin e Moskës – partnere e ngushtë e Bakusë – të dielën. Ai ka thënë se avioni i është “goditur aksidentalisht”, mirëpo është i zemëruar pse Rusia ka tentuar të fshehë shkakun e rrëzimit. Duke i kërkuar Putinit që ta pranojë përgjegjësinë, Aliyevi e ka akuzuar Rusinë se duke çuar përpara teori alternative, “ka treguar qartë se pala ruse ka tentuar të fshehë” realitetin.
Rusia ka thënë se Grozni, që gjendet në Çeçeni, rajon jugor i Rusisë, është sulmuar vazhdimisht me dronë ukrainas, kur avioni i kompanisë azerbajxhanase ka tentuar të ulet në mjegull të dendur. Të mbijetuarit kanë thënë se kanë dëgjuar shpërthime jashtë avionit, i cili e ka devijuar rrugën më shumë se 400 kilometra dhe ka tentuar të aterojë në qytetin kazak, Aktau, por si përfundim është rrëzuar.
Kazakistan ka thënë të hënën se i ka dërguar kutitë e zeza të aeroplanit në Brazil, ku e ka bazën kompania e prodhimit të aeroplanëve Embraer – të përdorur nga linja azerbajxhanase – për t’i kryer hetimet e detajuara.
/REL