12 pengjet e parë do të lirohen pas orës 10:00, Izraeli harton listën me 300 palestinezë të burgosur

Familjarë të pengjeve të Hamasit mund të përqafojnë të dashurit që të enjten pas orës 10:00 të mëngjesit kur sipas militantëve të rezistencës palestineze do të fillojë armëpushimi katërditor i rënë dakord me Izraelin. Do të lirohen me faza të paktën 50 pengje të mbajtur nga militantët në enklavën palestineze në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael.

Armëpushimi i parë në një luftë brutale, gati shtatëjavore, i arritur pas ndërmjetësimit të Katarit, u përshëndet në mbarë botën si shenjë përparimi që mund të lehtësojë vuajtjet e civilëve në Gazën e rrethuar nga Izraeli.

Izraeli tha se armëpushimi mund të zgjatet më tej nëse lirohen më shumë pengje, dhe një burim palestinez tha se gjithsej mund të lirohen deri në 100 pengje në fund të muajit. Përtej kësaj, armëpushimi mund të zgjatet dita-ditës për sa kohë që lirohen 10 pengje të tjera në ditë.

Ministria e Drejtësisë e Izraelit publikoi një listë me 300 emra të të burgosurve palestinezë që mund të lirohen.

Qindra kamionë me ndihma humanitare, mjekësore dhe karburant do të hyjnë në Gaza, ndërsa Izraeli do të ndalojë të gjitha fluturimet ajrore mbi Gazën Jugore dhe gjashtë orë në ditë në veri.

Kryenegociatori i Katarit, Ministri i Shtetit Mohammed Al-Khulaifi, i tha agjencisë Reuters se armëpushimi nënkupton se nuk do të ketë “asnjë sulm. Asnjë lëvizje ushtarake, asnjë zgjerim, asgjë”. Katari shpreson se marrëveshja “do të jetë një farë për një marrëveshje më të madhe dhe një armëpushim të përhershëm të zjarrit…Ky është qëllimi ynë,” tha ai.

Marrëveshja e armëpushimit është hapi i parë i vogël drejt paqes. Por në pritje të fillimit të armëpushimit nuk pati asnjë ndërprerje luftimesh. Ndërsa zbardhi mëngjesi, tymi nga shpërthimet u ngrit mbi Gazën veriore.

“Çfarë armëpushimi mund të ketë pas asaj që na ndodhi? Të gjithë jemi njerëz të vdekur. Kjo nuk do të na kthejë atë që kemi humbur, nuk do të na shërojë zemrat apo nuk do të kompensojë lotët që derdhëm,” tha Mona, një grua në Gaza, mbesat dhe nipërit e së cilës ishin në mesin e të vrarëve nga një sulm ajror izraelit.

Më shumë se 100 palestinezë të paidentifikuar u varrosën në këtë varr masiv në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis. Të vdekurit, mes cilëve edhe fëmijë, u vranë në zonat e veriut të Gazës, por po varrosen në jug, tha një punonjës i ministrisë së Shëndetësisë në vendngjarje.

Banorët e Rafahut thanë se disa vetë u vranë pas një sulmi ajror izraelit një ditë përpara armëpushimit të parashikuar.

 “Për çfarë armëpushimi po flisni me këto masakra që po ndodhin? A quhet armëpushim ky? Këto janë masakra. Para armëpushimit dhe pas tij Izraeli kryen gjenocid.”

Pas shumë kërkimesh, ushtarët izraelitë mundën të zbulojnë tunelet rreth spitalit Al Shifa. Kjo video e lëshuar nga ushtria tregon tunelet e ngushtë dhe armët e gjetura në to.

 “Ata ndërtuan tunele dhe lëviznin furnizimet nga tunelet, nga spitali jashtë, të gjitha furnizimet për terroristët, ndaj ne duhet të shkatërrojmë këtë sistem.”

Ushtria izraelite publikoi pamjet e trupave duke hedhur në erë tunelet e Hamasit në Gaza. Sipas deklaratës së ushtrisë izraelite, 400 boshte tunelesh janë identifikuar dhe shkatërruar.

Përparimet e ushtrisë izraelite tregojnë se pavarësisht armëpushimit të pjesshëm, lufta do të vazhdojë. Këtë e përsëriti disa herë edhe zëdhënësi Hagari. Ai nënvizoi se ndërprerja e ardhshme e planifikuar e luftimeve është vetëm “një pushim operacional.”

Klan News