E ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” alergologia Julijana Asllani foli për alergjitë. Për publikun ajo tregon arsyen kryesore dhe më të shpeshtë nga se shkaktohen alergjitë. Sipas saj predispozita gjenetike është një prej faktorëve kryesorë .
“Një nga faktorët e rëndësishëm është predispozita gjenetike, duhet një predispozitë e caktuar gjenetike që një individ të nxisë një përgjigje të caktuar alergjike. Faktorë të tjerë mjaft të rëndësishëm janë faktorët ambientalë, që do të thotë se së pari është ekspozimi ndaj alergjenit. Në rastin e alergjive sezonale, duke qenë se jemi në prag sezoni, alergjeni kryesor ndaj të cilit ne ekspozohemi në këtë periudhë të vitit pranverë-verë janë polenet. Të cilat janë grimca shumë të vogla mikroskopike që prodhohen nga bimë të ndryshme dhe qëndrojnë në ajër e transportohen me anë të erës. Ato bien më pas në kontakt me mukozat tona, bien në kontakt me sytë, apo me rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Ndotja e ambientit është një faktor tjetër që nxit alergjinë”, tha alergologia Julijana Asllani.
Më tej ajo tregoi se ka 3 boshtet se si një person alergjik të menaxhojë sëmundjen. Si fillim është kujdesi i shtuar që duhet treguar në kushte shtëpie, distancimi nga alergjeni, poleni dhe mos ekspozimi i shtuar në natyrë. Megjithatë sipas saj kjo etapë nuk është 100% efikase, prandaj nevojitet që të kalohet në boshtin e dytë që ka të bëjë me medikamentet. Medikamentet ndihmojnë në qetësimin e simptomave. Kurse imunoterapia, ose thënë ndryshe gjilpërat e alergjisë ndihmojnë në ndryshimin e dekursit të sëmundjes.
“Ka tre boshte kryesore të menaxhimit të sëmundjeve alergjike. E para është evitimi i kontaktit me alergjenin, që jo gjithmonë është e mundshme, por janë disa masa të cilat bëjnë të mundur reduktimin e sasisë së ekspozimit të poleneve. Mos qëndrimi për një kohë të gjatë në ambientet e jashtme të gjelbëruara. Lëvizja me makinë me dritare të mbyllura, mos nderja e rrobave jashtë sepse ngjiten polenet në rrobat e lagura, ose të mos ndehen në orët e pikut. Pra herët në mëngjes dhe vonë në darkë në mënyrë që nivelet e poleneve të jenë më të reduktuara në ajër. Të ndërrohen rrobat sapo kthehesh në shtëpi nga një shëtitje që ke bërë jashtë, në mënyrë që edhe grimcat që mund të kenë mbetur dhe sasia e ekspozimit të jetë më e pakët. Kjo është hapi i parë, pra evitimi i alergjenit, por jo është 100% efikas.
Prandaj kalohet në trajtimin simptomatik, me medikamente sipas simptomave. Përveç trajtimit simptomatik është shumë e rëndësishme dhe hapi i tretë që është imunoterapia alergjen specifike, që në gjuhën e përditshme njerëzit e njohin si vaksina e alergjisë. Zgjasin 3 deri në 5 vite, megjithatë është e vetmja terapi që bën të mundur ndryshimin dekursit të sëmundjes. Ndryshe nga trajtimi vetëm me medikamente që thjesht qetëson simptomat, ajo mund të bëjë ndryshim të dekursit, që do të thotë se pacienti në fund të saj ka më pak nevojë me mjekime, medikamente të tjera, ka më pak simptoma dhe më e rëndësishmja parandalon zhvillimin e astmës bronkiale”, përfundoi mjekja./tvklan.al