Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e një marrëveshjeje për minerale, e cila konsiderohet kyçe në kuadër të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë raportuar mediat të martën vonë.
Burime të afërta me zhvillimet kanë thënë se në të nuk përmenden garanci të sigurisë, apo zotime për dërgim të mëtutjeshëm të armëve, mirëpo që Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të jetë “e lirë, sovrane dhe e sigurt”.
Megjithatë, dërgesat tjera të armëve janë ende duke u negociuar mes Uashingtonit dhe Kievit.
Trump u ka thënë gazetarëve se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dëshiron të shkojë të premten në Uashington për të nënshkruar “një marrëveshje shumë të madhe”.
Ai e ka bërë këtë deklaratë një javë pas shkëmbimit të deklaratave të ashpra mes dy liderëve.
Presidenti amerikan, i cili e konsideron marrëveshjen si shpagim të ndihmës ushtarake të Uashingtonit për Kievin – në vlerë të miliarda dollarëve – ka thënë se në Ukrainë do të duhet të ketë forca paqeruajtëse, nëse arrihet marrëveshje për paqen.
Moska, e cila ka nisur luftën në Ukrainë, tre vjet më parë, ka refuzuar idenë e angazhimit të forcave të NATO-s.
Disa shtete evropiane kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë. Trump ka thënë të hënën se Moska do të pranonte prezencën e paqeruajtësve, mirëpo Kremlini e ka hedhur poshtë këtë deklaratë të martën.
Përpjekjet e shpejta të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Moskën, i kanë rritur shqetësimet për mundësinë e koncesioneve amerikane ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që më pas do të mund të minonin sigurinë në Ukrainë dhe Evropë, dhe të ndryshonin situatën gjeopolitike.
Javën e kaluar, Trump e ka quajtur Zelenskyn “diktator” që ka nevojë të bëjë marrëveshje të shpejtë për paqe, apo rrezikon të humbë shtetin.
Lideri ukrainas, në anën tjetër, ka thënë se presidenti amerikan jeton në një “hapësirë dezinformatash”.
/REL