Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Sali Berisha i ngjiti shkallët e kuvendit duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Meritën për prangosjen e Erjon Veliajt i’a njohu opozitës dhe qytetarëve.

“Dorëheqjen e menjëhershme e Edi Ramës, kreut të piramidës së krimit. Kjo që ndodhi është meritë e qytetarëve dhe opozitës”.

Por mungesa e kreut të qeverisë në seancë plenare ndezi edhe më shumë tensionet. Sali Berisha kërkoi praninë e Edi Ramës në sallë.

Për Berishën, arrrestimi i kryebashkiakut të Tiranës është amnisti që drejtësia po i bën Kryeministrit Rama nga aferat korruptive.

“I them Edi Ramës se nuk mund të fshihesh pas fustanit të Ajola Xoxës, as edhe të Erion Velisë. Nuk e akuzojnë për 130 milionë Euro të zhdukura në inceneratorin e Tiranës. Nuk e akuzojnë për 5D-në. E akuzojnë se Edi Rama i jep për detoks… Detoksin nuk e bëri Erion Velaij, por detoksin apo butoksin e bëri Edi Rama. Nuk e amnistrojnë Erion Velinë për 130 milionë Euro për arsye se e ka imponuar Edi Rama firmosjen. Arreston Erion Velinë se i paska bërë favore këtij apo atij ndërtuesi. Ai që ka ndërtuar vilat e Edi Ramës dhe pallatin e Linda Ramës ka marrë 100 milionë Euro tendera nga Rama dhe zyrat e tij”, tha Berisha.

E teksa socialistët refuzuan të komentojnë vendimin për kolegun e tyre, në emër të qeverisë, Taulant Balla e ftoi Berishën të bëjë kallëzim në SPAK për akuzat e ngritura në adresë të Kryeministrit.

“Gjeni një rast kur ky krah i sallës të jetë shprehur apo të ketë bërë komente mbi veprimet e drejtësisë. Asnjëherë. Kemi bërë komente kur drejtësia ka thënë verdiktin përfundimtar. The një lumë gënjeshtrash? Po. Merri nesër dhe bëj një kallëzim në SPAK”, tha Balla.

Arrestimi i Erjon Veliaj u bë shkak disa herë në sallë që Berisha të përfshihej në replika me Kryetaren e Kuvendit, si dhe ministra e deputetë të mazhorancës duke shkaktuar tension gjatë seancës plenare.

Elisa Spiropali: Nuk e kuptoj përse ngriheni në këmbë.

Sali Berisha: Se tek Erioni do të shkosh dhe ti mos ki merak.

Elisa Spiopali: Mos përfito se jam këtu lart Doktor se do ta ktheja përgjigjen ndryshe siç ta kam kthyer. Kaq.

Sali Berisha: Lubia e ka mendjen tek thasët me para. Ku është sot ajo. Apo po feston? Po hap shishe shampanje për burgosjen e Erion Velisë? Jap fjalën e nderit këtu para jush se tek Erioni do të shkojë dhe ajo.

Më herët në një reagim për Klan News, Berisha tha se me arrestimin e kryebashkiakut Veliaj po shembet piramida e krimit.

Tv Klan