Në operacionin e SPAK në pranga raportohet të ketë rënë edhe Astmer Bilali, ish-kampioni i boksit i arrestuar në të shkuarën si pjesë e “Bajrave” të Shkodrës.

Nga të dhënat e para, ai dyshohet të jetë vënë në pranga si pjesë e grupit kriminal, që deri më tani ka çuar në pranga të paktën 6 persona. Mes tyre janë ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-shefi për Krimet në Berat, Ardit Hasanbegaj (Lexo më shumë).

Janë të paktën 15 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme. Akuzat janë disa, mes të cilave organizatë kriminale, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në organizata kriminale, shpërdorim detyre, korrupsion, e deri te vrasje. Megjithatë siç thekson gazetarja e Klan News Glidona Daci këto janë të dhëna paraprake, ende të pa konfirmuara zyrtarisht nga SPAK.

Kush është Astmer Bilali?

Ai u arrestua në vitin 2018 si pjesë e grupit “Bajri”. Në 2020-n Astmer Bilali u dënua nga gjykata me 3 vite heqje lirie, me gjykim të shkurtuar. Ai akuzohej për armëmbajtje pa leje, ndërtim i paligjshëm dhe paracaktim i rezultateve sportive.

Astmer Bilali është në hasmëri me familjen Lici në Shkodër. Po ashtu ai u përmend nga Fahrije Alija, nëna e Endri Mustafës, ky i fundit i vrarë në Maj të 2021-t, si porositës dhe i implikuar drejtpërdrejtë në vrasjen e të birit. Ajo akuzoi prokurorinë e Shkodrës se po e mbronte Astmer Bilalin nga akuzat e ngritura ndaj tij.

Kujtojmë po ashtu se babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, Astrit Bilali dhe Brahim Bilali, u vranë me armë zjarri në 2019-n. Babai i tij ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve.

Emri i Astmer Bilalit u permend po ashtu si i dyshuar edhe për vrasjen e Ismet Çekores, i ekzekutuar po në Shkodër në Shkurt të 2022-t.

Ai njihet për lidhjet e ngushta shoqërore me Bajrajt dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka./tvklan.al