Policia e Madridit ka arrestuar një trafikant droge shqiptar, i cili rezultonte si një nga më të kërkuarit në Europë. Ai është Haredin Fejzulla 59 vjeç, i cili drejtonte një nga organizatat më të madha të narko trafikut me bazë në Belgjikë. Policia spanjolle ka publikuar dhe planet e aksionit të prangosjen së shqiptarit, i cili rezultonte numri 22 në listën e 50 të arratisurve më të kërkuar në Europë nga Europol.
Mediat spanjolle thonë se nga trafiku i kanabisit, organizata e tij kishte përfituar rreth 4 milionë euro.
Hetimet për kapjen e tij nisën në Janar të viti 2023, për shkak të dyshimeve se ai mund të ishte në Spanjë. Mediat shkruajnë se ai kishte marrë shumë masa për mos tu kapur nga policia. Fejzulla nuk qëndronte gjithmonë në të njëjtën banesë, ndërronte mjetet me të cilat lëvizte dhe përdorte aparate të ndryshme celulari për mos tu gjurmuar.
Urdhri arresti për të ishte lëshuar nga drejtësia belge, e cila e kishte dënuar me 29 vite burg. Ai u shpall fajtor për trafik të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe falsifikim të dokumenteve, krime të kryera gjatë viteve 2014 – 2018. Pasi shpalljes së dënimit, ai mundi të arratisej nga Belgjika.
Anëtarët e kësaj organizate merrnin shtëpi me qira ku kultivonin lëndën narkotike, falsifikonin kontratat e energjisë elektrike dhe kryesisht, punësonin persona që ishin pa leje qëndrimi. Në total ata kishin ngritur 13 plantacione.
Në ditët në vijim gjykata kombëtare e Spanjës do të vendosë nëse do e ekstradojë ose jo 59-vjeçarin shqiptar në Belgjikë.
Klan News