Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia për atentatin e 1 Nëntorit 2019 në autostradën Durrës-Tiranë ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj, shoku i tij Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku. I arrestuari është Arjol Halilaj 29 vjeç lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.

Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë arrest në burg në mungesë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 29-vjeçari Arjol Halilaj akuzohet për përkrahje të autorit në krim në rrethana cilësuese. Ai është rezulton se është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, 29-vjeçari ka larguar me mjetin e tij atentatorët nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi Redjan Rraja 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.

Gjithashtu, po si rezultat i kontrolleve të shpejta në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohe të shkurtër, në fshatin Shkafane, Durrës, është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes.

Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera. /tvklan.al