“Stop” takoi në ambientet e paraburgimit edhe dy vëllezërit e izoluar të Floresha Koçit, Gramoz dhe Diamant Muça. Ata tregojnë se kunati i ka sharë nënën e ndjerë e kështu ka nisur konflikti. Ata thonë, se kanë 4 muaj larg familjeve të tyre dhe kërkojnë drejtësi, pasi ata janë në qeli e agresori i lirë.

Gazetarja: Kush ishte shkaku që solli këtë pasojë?

“Shkaku ishte një provokim ndaj nesh. Ishim në rastin e mamasë që kishte vdekur, bëmë të tretat, bëjmë drekën. Pastaj kur shkojmë tek gjykata Bledar Koçi na provokon.”

“Nga nëna, nga motra na shau.”

“Ishte një provokim shumë i madh.”

“Ndodhi ajo që ndodhi.”

“Erdhi policia pastaj. Ai e kishte bërë ndërmend sepse s’kishte se si të vinte policia 20 minuta përpara. Ishte bërë plan. Ishte bërë me fjalë. Vjen Policia e Elbasanit dhe kap Floreshën, Anita Muçën gruan e vëllait të madh, Erionin dhe Dimanat Muçën. Unë nuk u kap, u tërhoqa mbrapa bashkë me Ylli Muçën. Kur ika më ndaluan në doganë, dhe Yllin dhe mua.”

Gazetarja: Mbani mend ndonjë episod të motrës kur vinte në shtëpi e dhunuar dhe kërkonte ndihmë?

“Po shumë mbaj mend. Dhe kur ishte në Greqi e ka dhunuar, e ka rrahur derisa motra është detyruar të ndërronte në shtëpi, të ikte në shtëpi tjetër. E kam mbajtur në shtëpinë time 2-3 netë derisa të zbuteshin.”

“Unë tani e kam marrë vesh sepse motra nuk ka dashur asnjëherë që të përziente vëllezërit e vet në këtë muhabet. Para drejtësisë duhet të ishte dhunuesi dhe jo unë.”

“Për 27 vite ka bërë dhunë tek motra ime dhe është jashtë, kurse ne vetëm me një herë që na provokoi jemi brenda tani.”

Gazetarja: Ju vetë tani keni familje?

“Jam babi i tre fëmijëve, mosha 16, 18 dhe 4 vjeçe, dy çuna dhe një gocë. Jam kryefamiljar duhet të punoj  për fëmijët e mi, jam larg fëmijëve të mi.”

“Gjithashtu fëmijët e mi dhe familja ime është në Greqi. Po më ka marrë malli. Kam folur në telefon në telefon gjithmonë. Unë kërkoj drejtësinë e gjykatës, prokurorisë, Avokatit të Popullit, Ministrisë së Drejtësisë të japin zgjidhje se ne jemi familje. Po të ishin marrë masat siç duhet nuk do të isha unë këtu, por Bledar Koçi që ka dhunuar motrën time kaq vite.”

Sevim Arbana, kryetarja e shoqatës “Në Dobi të Gruas” dhe Belioza Çoku e konsiderojnë shumë të rëndë dhunën ndaj gruas dhe fëmijës 13-vjeçar.

“Pamjet e tregojnë më qartë dhe është pa koment. Ai e godet tre herë dhe herën e katërt mund ta vrasë në shtëpi, sepse kur e bën në publik dhe ka guximin ta bëjë, imagjino se çfarë mund të bëjë në privatësinë e një shtëpie, të një çifti. Ajo që mua më indinjon është policia. Çfarë pret policia?! Ne kemi njerëz të vdekur përditë, ne mbajmë rekord për dhunë ndaj grave. Tani nuk po flasim më për dhunë, por për femicid dhe janë 150 gra të vrara për pak vite. Është e tmerrshme, është e frikshme. Policia duhet të jetë shumë e kujdesshme për një fyerje duhet të reagojë, jo më për tre goditje në kokë në publik. Unë jam realisht pa fjalë, prandaj i bëj thirrje dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të shikojë me prioritet këtë rast të tmerrshëm,” tha Sevim Arbana.

“Një situatë dhune pa asnjë shenjë komunikimi në prezencë të fëmijëve për një kohë të gjatë nuk ka asnjë mundësi që djali që ndoqa në dëshmitë tuaja të ketë mundësinë të ndjehet mirë ose të ketë besimin në njerëzit që e rrethojnë sepse siguria në jetën e çdo fëmije zhvillohet në familje. Tentativat e tij pas çdo akti të dhunës të përsëritur në familje tregojnë që djali nuk është në gjendje të mirë psikologjike. Në atë moshë që ka hyrë djali, është një nga moshat më të rrezikshme. Dhe tentativat e vetëvrasjes së djalit janë një kambanë alarmi për sa i përket sistemit që nuk ka mundur të koordinojë si duhet dhe të përgjigje në kohë që t’i japë një mundësi më shumë edhe nënës e fëmijës ndihmë në shërbime, por janë dhe një paralajmërim që adoleshenca e tij është në rrezik dhe ai vetë është në rrezik,” shtoi Belioza Çoku. 

Avokati Arben Llangozi akuzon pjesë të policisë së shtetit si të korruptuar e që ka fshehur provat. Për këtë rast, i drejtohemi Prokurorisë me një kallëzim.

Arben Llangozi: Rasti në fjalë është një rast shumë i rëndë ka të bëjë me dhunën në familje, shpesh herë dhuna ka qenë dhe në prezencë të të miturit. Nëse ne i referohemi të nenit 130/a paragrafi 4 është parashikuar dhe rasti i dhunës në prani të të miturit. I mituri është i dhunuar psikologjikisht këtë e pohon dhe vetë ai. Policia e Shtetit ka qenë e implikuar dhe e përfshirë në veprime korruptive në rastin konkret. Kemi një rast të përsëritur ndaj zonjës në fjalë dhe policia nuk ka kryer detyrën, ajo nuk ka sekuestruar provat materiale siç janë videot, i ka zhdukur ato nga dosjet hetimore dhe nuk ka kryer dhe arrestimin në kushtet e flagrancës. Nuk është një ditë që kjo zonjë dhunohet, por kemi një dhunë sistematike dhe policia në shumicën e rasteve ka qenë inegzitente, por ka arritur deri në atë pikë sa ka zhdukur kallëzimet penalet dhe provat nga dosja hetimore. Është bërë kallëzim penal nga familjarët për punonjësit e policisë dhe për 6 muaj nuk ka pasur asnjë reagim, as nga AMP që do të thotë që këtu kemi një mirëfunksionim dhe një mbështetje të krimit qoftë nga Policia Elbasan, por edhe nga punonjësit e AMP./tvklan.al