Dëshira e prindërve jo gjithnjë është vendimtare për të zgjedhur degën e studimit dhe profesionin.  Shpesh kemi dëgjuar histori kur janë prindërit ata që vendosin apo ngulmojnë që fëmija të zgjedhë një drejtim të caktuar, por rasti i Klodian Çelmetës tregon “të mesmen e artë”.

I riu i ftuar në “Gjenerata Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e ka respektuar dëshirën e prindërve dhe ka ndjekur një degë të lidhur me shkencat mjekësore teknike. Por pasioni i tij i madh ishte teatri dhe pasi futi në xhep diplomën e parë, iu përkushtua sërish studimeve në Universitetin e Arteve.

Klodian Çelmeta: Me të përfunduar gjimnazin,  unë vazhdova studimet në ciklin Bachelor për Teknik Imazheri dhe Radioterapi që i përket shkencave mjekësore teknike.

Ardit Gjebrea: E zgjodhe vetë?

Klodian Çelmeta: Ishte kryesisht pëlqimi i prindërve që unë të vazhdoja këtë degë duke parë edhe rezultatet e mia të larta gjatë gjimnazit, por pasioni ishte diku  tjetër.

Ardit Gjebrea: Me kalimin e kohës, fillove ta shohësh si një mundësi për të pasur një profesion në të ardhmen apo jo?

Klodian Çelmeta: Po,  deri diku.  Por sa më shumë kalonte koha, unë shikoja dhe dëgjoja atë thirrjen brenda meje që  ishte pasioni im për teatrin.  Edhe gjatë kohës që vazhdoja studimet, unë kërkoja që të merresha dhe të angazhohesha me projekte të ndryshme artistike.

Ardit Gjebrea: Po mirë, ti e mbarove Bachelorin?

Klodian Çelmeta: Po.

Ardit Gjebrea: Pra e mbarove? E ke një diplomë në xhep? Je imazherist?

Klodian Çelmeta: E kam një diplomë në xhep.

Ardit Gjebrea: Tani, u  fute për në xhepin tjetër, një diplomë tjetër dhe është e pazakontë realisht që të dëgjosh që dikush që mbaron në një degë të caktuar në Bachelor, vendos të fillojë nga e para. Fillove Universitetin e Arteve apo jo?

Klodian Çelmeta: Fillova Universitetin e Arteve për degën Regji-Teatër.

Ardit Gjebrea: Prindërit çfarë thanë?

Klodian Çelmeta: Sado i pjekur ose maturë të jesh, je 17 vjeç dhe prindërit të paktën, mentaliteti shqiptar e shikon sikur ti nuk je i vetëdijshëm plotësisht për zgjedhjen tënde. Ndërsa, me kalimin e kohës, unë u vërtetova atyre që ky është pasioni im dhe kjo është çfarë dua të bëj. Kur mbarova ciklin Bachelor, ata ishin shumë entuziastë dhe shumë përkrahës.

Ardit Gjebrea: Si e projekton ti veten tënde?

Klodian Çelmeta: Tani për tani jam totalisht i fokusuar te teatri, te regjia. Dua që të eksperimentoj dhe të ndjek këtë thirrjen time. Nuk e di sesa përkrahje do të kem nga tregu, por që gjithsesi kam një plan B në xhep./tvklan.al