Më 26 nëntor 2024 “Stop” transmetoi në Tv Klan rastin e zonjës Floresha Koci, e cila tha se prej 25 vitesh ka qenë e martuar me Bledar Kocin dhe prej vitesh është dhunuar prej tij. Por së fundmi, pasi ajo zbuloi tradhtinë e të shoqit, dhuna ndaj saj u shtua. Floresha tregoi edhe video të dhunës pasi pa të shoqin në makinë me një vajzë.

Në një tjetër rast dhune, bashkëshorti Bledari futet në biznesin që kishin bashkë, kur ai vjen, bën debat dhe e godet 3 herë në kokë duke e ndjekur në banak, thyer celularin dhe gjuajtur me sende të forta. Edhe ky moment, i fiksuar nga kamerat e sigurisë, ndodh në mes të ditës e në sy të njerëzve. Policia nuk mori asnjë masë. 

Episodi i fundit ndodhi në Gjykatën e Elbasanit. Bashkëshorti konfliktohet më vëllezërit e saj dhe policia e Elbasanit merr brenda atë dhe katër vëllezërit duke lënë agresorin sërish të lirë. Gjatë arrestimit, vëllai i madh kalon parainfarkt. Floresha dhe vëllai i sëmurë morën masën arrest shtëpie, ndërsa Bledari sërish u la i lirë.

Floresha Koci nuk është viktima e vetme e dhunës nga i shoqi. Nga situata e dhunës e kanë pësuar edhe dy djemtë, sidomos i vogli, 13 vjeç që ka tentuar edhe vetëvrasjen. 

Nga momenti i transmetimit në “Stop”, dolën prova të reja për hetimin dhe Prokuroria Elbasan ka reaguar duke nisur hetim penal për dhunuesin.

Floresha Koçi: Ka nisur procedim për dhunuesin. Dua, që drejtësia t’i japë dënimin e merituar dhunuesit! I bëj apel gjykatës që masat të na hiqen sepse unë kam fëmijë, vëllezërit e mi kanë fëmijë dhe dua që të jemi të lirë sa më shpejt!

Dy vëllezërit e Floreshës, Diamant dhe Gramoz Muça deklarojnë se ndaj tyre është marrë masë më e lehtë sigurie.

Diamant Muça: Përshëndetje, Odeta! Unë ndodhem në Greqi tani, pranë familjes sime, pranë gruas sime, pranë fëmijëve të mi. Falë emisionit tuaj “Stop” unë ndodhem në Greqi tani me “detyrim paraqitjeje”.

Gazetarja: Diamant, ke filluar normalitetin?

Diamant Muça: Kam filluar punën normalisht! Ju falenderoj shumë! Falenderoj edhe Gjykatën, që mori këtë masë. Falenderoj edhe gjykatën që mori këtë masë. Falenderoj edhe “Stop”-in, edhe juve që u futët brenda në burg dhe falë asaj interviste, dolëm jashtë! Na ndihmoi shumë ajo intervistë falë jush! Shpresoj që dhunuesi i vërtetë të marrë dënimin!

Gazetarja: Përshëndetje Gramoz, si je?

Gramoz Muça: Mirë, si jeni?Jam “arrest shtëpie”. Falenderoj “Stop”-in për masën,që mori për mua, një masë më të butë.

Gazetarja: Gramoz, nuk e mori “Stop”-i. Pas transmetimit të “Stop”-it, reagoi gjykata.

Gramoz Muça: Gjykata edhe “Stop”-i bëri punë, për një masë më të lehtë për mua.

Floresha Koci: Odeta, falë jush dhe emisionit Stop dhe avokat Llangozit, vëllezërit e mi, sot janë me ndryshim mase!

Avokati Arben Llangozi thotë se prokuroria ka vlerësuar që bëhet fjalë  për një vepër penale dhe ka nisur hetimin. Ai shpreson që së shpejti dhunuesi i vërtetë të jetë në masën “arrest me burg” siç ishin viktimat./tvklan.al