Atentati ndaj Presidentit Trump në Pensilvani ka ngjallur dyshime për nivelin e sigurisë nga Shërbimi Sekret Amerikan. Për këtë arsye, Presidenti Biden urdhëroi edhe një rishikim të protokollit të sigurisë së Shërbimit Sekret, duke qenë se fushata amerikane vijon.

Analistët dhe ekspertët amerikanë evidentojnë të gjithë neglizhencën në perimetrin e sigurisë ku u mbajt tubimi politik i Trump. Kjo ka të bëjë me faktin se si u lejua që autori të ngjitej në tarracën e një ndërtese që ishte rreth 200 metra larg podiumit ku Donald Trump mbante fjalim.

Por nëse siguria në këtë aspekt ka çeduar, snajperët e Shërbimit Sekret që ishin pozicionuar në tarracën e ndërtesës prapa krahëve të Donald Trump, janë treguar profesionistë.

Kështu mendon Thomas Gibbons-Neff, ish-marins amerikan, në një analizë të botuar në New York Times.

Sipas tij, snajperistët që mbronin Trump ishin vendosur në një pozicion strategjik dhe përdornin pushkë të fuqishme me rreze të gjatë veprimi.

Praktika standarde e snajperistëve të Shërbimit Sekret është eliminimi i një kundërsnajperi apo rreziku të çdo lloji.

Kjo do të thotë që ata ishin në pozicionin e duhur për të eliminuar kërcënimin që paraqiti 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks duke qëlluar me armë nga tarraca.

Snajperistët e Shërbimit Sekret ishin të pozicionuar rreth 200 metra larg autorit, një distancë që nënkupton një gjuatje të lehtë për çdo qitës profesionist dhe të stërvitur.

Ajo që ka ngritur pikëpyetje është fakti që përse ndërtesa ku ishte pozicionuar autori nuk ishte kontrolluar?

Nga të shtënat, ish-Presidenti Donald Trump mbeti i plagosur lehtë në veshin e djathtë. Qitësi qëlloi rreth 4-5 herë, dhe më pas u eliminua nga snajperistët e Shërbimit Sekret. Motivi i tentativës së vrasjes ndaj Donald Trump mbetet i panjohur. Çështja po hetohet nga FBI.

/tvklan.al