Më shumë se 25 persona janë shoqëruar nga policia pas atentatit me 3 viktima që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Memaliaj.
Ata janë marrë në pyetje nëse kanë patur dijeni për ngjarjen ndërsa më pas janë lënë të lirë nga uniformat blu. Këta të fundit kanë ushtruar kontrolle në të gjithë jugun e vendit në zona të ndryshme dhe banesa të personave me precedent.
Me rëndësi për autoritetet është dëshmia e 57-vjeçarit Artur Kalemi i cili mbeti i plagosur. Dëshmia e tij ende nuk është marrë për shkak të gjendjes shëndetësore të tij. pasi mori dy plumba nga breshëria me automatik.
Po ashtu pritet edhe ekzaminimi i 3 armëve kallashnikov që u gjetën në makinën tip BMË që u gjet e djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës pasi autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Dyshimet e policisë janë se bëhet fjalë për vrasës me pagesë ndërsa mendohet se në makinë kanë qenë të paktën 2 persona. Njëri prej tyre mësohet se ka zbritur nga makina duke qëlluar me breshëri drejt lokalit.
Objektiv i atentatit ishte 74-vjeçari Shtyqyri Kalemi ndërsa veç tij të vdekur mbetën edhe kamerieri i lokalit Gledian Muka si dhe një klient që ndodhej brenda Marsel Cela. 74-vjeçari ishte duke pirë kafen në një tavolinë në ambientet e jashtme të lokalit me vëllanë e tij që mbeti i plagosur.
Blutë vijojnë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë të bizneseve por edhe të bashkisë së Memaliajit pasi njëra prej tre ka fushëpamje të plotë nga vendi i krimit.
Pista ku janë përqendruar hetimet mbetet ajo e hakmarrjes për shkak të përplasjeve mes fiseve Kalemi dhe Papa. Objektivi Shyqyri Kalemi është i ati i Andrea Kalemit i cili u ka shpëtuar të paktën 3 atentateve më herët.
Po ashtu në janar të këtij viti u tentua të eliminohej edhe vëllai i tij Zamir Kalemi në një ngjarje të ndodhur në kryeqytet por ai mundi tu shpëtonte plumbave. Besohet se shkak për përqasjen është bërë prishja e pazareve të drogës dhe trafikut të saj drejt Greqisë.
Klan News