Një aksident i trefishtë u regjistrua paraditen e sotme në aksin Elbasan-Ish-Kombinati Metalurgjik.
Korrespondenti i Klan News, Fatos Salliu raporton se si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej të cilëve në gjendje më të rëndë.
Drejtuesi i plagosur rëndë u bllokua brenda mjetit dhe u desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës. Ata u transportuan për në spitalin e Elbasanit ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila kreu veprimet proceduriale për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Informacion paraprak-Rreth orës 11:00, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, janë përplasur 3 automjete, me drejtues përkatësisht shtetasit O. L., 27 vjeç, R. SH., 46 vjeç dhe S. Zh, 71 vjeç. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “BMW”, shtetasi S. Zh., i cili është në kujdesin e mjekëve.
2 drejtuesit e automjeteve janë shoqëruar në polici për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
/tvklan.al