Një autobus shkolle ka përplasur një turmë njerëzish, duke vrarë të paktën 11 prej tyre, ku përfshihen dhe 5 nxënës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në provincën Shandong të Kinës. BBC News raporton se disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas asaj që raportojnë mediat e huaja, autobusi është përplasur me nxënësit dhe prindërit teksa ata po qëndronin jashtë ambienteve të një shkolle në Kinë. Ngjarja dyshohet se ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit nga ana e shoferit të autobusit. Policia po heton shkaqet e aksidentit, ndërsa nuk dihet akoma nëse ngjarja ka qenë e qëllimshme.
“Deri më tani, gjithsej 11 persona raportohet se kanë ndërruar jetë (6 prindër dhe 5 nxënës),” konfirmoi media shtetërore kineze.
Kjo vjen vetëm pak ditë pasi nxënësit u kthyen në shkollë për fillimin e vitit të ri akademik. Aksidentet rrugore janë një dukuri e shpeshtë në Kinë. Në Korrik të këtij viti, një automjet u përplas me një grup këmbësorësh në qytetin Changsha, duke vrarë 8 persona dhe plagosur disa të tjerë./tvklan.al