Nga Kina në Evropë, Kanadaja në Meksikë, tregjet botërore tashmë janë të shqetësuar nga premtimi i Donald Trump për të rritur tarifat kur ai të bëhet president i SHBA-së.
Trump ka deklaruar tarifa deri në 10 % për importet globale dhe 60 % për mallrat kineze, plus një shtesë prej 25 % të importit për produktet kanadeze dhe meksikane. Masa që sipas ekspertëve te tregtisë thonë se do të rrisnin kostot dhe do të shkaktonin hakmarrje.
Tarifat janë shumë më të larta se ato të vendosura më herët.
“Për sa i përket rëndësisë, mendoj se nuk do të ishte mbivlerësim të thuash se nuk kemi parë asgjë akoma. Dhe kjo bazohet, në një lloj programi të plotë të tarifave që Presidenti Trump ka diskutuar në fushatë. Nëse e konsiderojmë atë 10 deri në 20% të eksporteve nga të gjitha burimet, përveç 60% në Kinë, ne mund te themi pa frike se po flasim për tarifa 10 herë më të larta se ato të luftës së parë tregtare”.
Elektronika, pjesët e makinave, kimikatet, përbërësit farmaceutikë, mallrat e konsumit dhe ato shtëpiake, këpucët, lodrat dhe mallrat sportive do të goditen shumë rëndë, me kosto më të larta që do të preknin importuesit dhe konsumatorët amerikanë.
Bashkëthemeluesi i Mary Arnold Toys Ezra Ishayik e di që tarifat do të jenë një goditje e madhe. Shumica e lodrave që ai shet në Upper East Side të Manhatanit janë të importuara.
“Nëse do të jenë në masën 60% do të ndodhë, kjo është një goditje e madhe shkatërruese për industrinë në total. Do të ketë një rritje prej 20% ose 25% në kosto. Ne kemi të bëjmë me mbi 450 prodhues dhe tregtarë me shumicë. Dua të them, mund t’ju them se ndoshta dy ose tre ose pesë prej tyre janë prodhues në Amerikë”.
Por nga ana tjeter Joseph Ferrara, CEO i Ferrara Manufacturing, mirëpret tarifat. Ai thotë se do t’i bëjnë produktet e tij më konkurruese dhe do t’i japin një shtysë sektorit të prodhimit vendas të veshjeve në SHBA.
“70 % e asaj që bëjmë këtu është punë, 30 % është material. Shtetet e Bashkuara eksportojnë 10 miliardë Dollarë veshje dhe tekstile. 80 % e kësaj është e specializuar. Ne kemi një mundësi shumë më të madhe për të rritur pjesën tonë në tregun amerikan përmes tarifave”.
Ekonomistët thonë se planet e përgjithshme tarifore të Trump, me gjasë politika e tij ekonomike, do të nxisin inflacionin, do të fusin në ngërc bashkëpunimin tregtar SHBA-Kinë.
CNN raporton se presidenti i zgjedhur i SHBA-se po shqyrton shpalljen e një emergjence ekonomike kombëtare për të dhënë justifikim ligjor për tarifat.
Ky veprim do t’i lejojë Trumpit të ndërtojë një program të ri tarifor duke përdorur Aktin Ndërkombëtar të Kompetencave Ekonomike të Emergjencës (IEEPA), i cili autorizon një president të menaxhojë importet gjatë një emergjence kombëtare.
“Ajo që Trump po përpiqet të bëjë është të sigurohet se ai mund të vendosë tarifa ndaj Kinës dhe partnerëve të tjerë tregtarë të SHBA-së pa kaluar në procesin e marrjes së miratimit nga Kongresi. Gjithashtu po përpiqet t’i vendosë tarifat në atë mënyrë që të mos bien në kundërshtim me rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtise”.
Sipas disa skenareve Evropa mund të vuajë më shumë se Kina. Një model i publikuar nga The Financial Times tregon se Evropa do të ishte më e prekura në një luftë tregtare. Vendet evropiane parashikohet të humbasin një total prej 38.6 miliardë Dollarësh në 2025 dhe 2026, krahasuar me humbjet kineze prej 34.2 miliardë Dollarësh.
Deri në 300,000 vende pune në Gjermani vlerësohet të jenë në rrezik nëse presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, zbaton planin e tij për të vendosur tarifa të reja për importet nga Bashkimi Evropian. Sipas Süddeutsche Zeitung, e cila botoi një studim nga Instituti për Kërkime Makroekonomike dhe Ciklit të Biznesit (IMK), raporton se edhe nëse tarifat ulen në nivelin më të ulët që ka shpallur herë pas here presidenti i zgjedhur, humbjet e vendeve të punës nuk do të jenë më pak se 200 mijë.
Më shumë detaje mbi axhendën e fundit të Trump “Amerika së pari” do të dalin në dritë pasi ish-Presidenti të kthehet në Zyrën Ovale më 20 Janar.
Klan News