“Kush janë ekspertët e zëdhënësve të qametit”?

Një javë më parë qeveria shqiptare njoftoi për hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e autostradës Milot-Fier, pjesë e “korridorit blu”, ndërsa menjëherë më pas opozita e denoncoi këtë koncesion si korruptim.

Sot ministrja e Infrastrukturës u ka kthyer përgjigje të gjithë kritikëve nga foltorja e Parlamentit, të cilët ajo i emërtoi si “zëdhënësit e qametit”.

Duke dhënë sqarime për këtë projekt, Belinda Balluku bëri me dije se ishte vetë ajo që dha urdhrin për mospublikimin e dokumenteve online të këtij projekti, deri në ditën e sotme.

Balluku ka kërkuar nga opozita që të tregojë se cilët janë ekspertët e tyre që kundërshtojnë këtë projekt, sipas saj, me fakte dhe të dhëna të gabuara.

“Kam pritur 7 ditë që të vija në këtë foltore dhe ndaj kërkoj vëmendjen tuaj. Kam zgjedhur që të mos bëj asnjë prononcim nga foltorja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pasi nuk e shoh të arsyeshme që t’i përgjigjem askujt nga rruga. Unë i përgjigjem Myslym Murrizit, i përgjigjem Rudina Hajdarit, i përgjigjem Edlirës, i përgjigjem Aurorës, Halitit dhe kujtdo tjetër në këtë sallë sepse ju jeni përfaqësuesit e popullit.

Dhe nuk i përgjigjem atyre që nuk po i zë gjumi natën pse qeveria shqiptare ka lançuar një tjetër projekt të rëndësishëm. Pra, nuk do t’i përgjigjem lukunisë, as zëdhënësve apokaliptikë, praktikisht apokaliptik është fjalë shumë elegante për ta, do t’i quaja zëdhënësit e qametit më saktë.  Do ta nis nga e para. Përse pas lançimit të mërkurën e kaluar të këtij projekti nuk u hodh dokumentacioni në APP? E kam ndaluar unë si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë fuqiplotë. E kam ndaluar sepse vetëm pak minuta pas lançimit të këtij projekti ju të gjithë u turrët në ekrane për të vjellë, nuk është më baltë, tashmë është bërë zift. Kërkova mirëkuptimin e Kryeministrit, kërkova bashkëpunimin e koleges time Denaj, dhe dëgjuam me shumë vëmendje deklaratat tuaja të secilit prej jush dhe morëm analizuam se mos ndoshta kishit ndonjë fije të vërtete. Se mos ndoshta kishit ndonjë numër i cili na paska shpëtuar ne apo ekspertëve ndërkombëtar të Hill International. Kam unë një pyetje për ju zëdhënësit e qametit. Kush janë ekspertët tuaj? Ju dilni dhe thoni ekspertët tanë thonë që ky është një hap korruptiv apo që kjo është një aferë e fryrë. Unë dua të dilni publikisht dhe ta na tregoni ekspertët tuaj të infrastrukturës sepse unë të mitë ja u kam thënë të mërkurën dhe do t’jua e prezantoj sërish, është konsorciumi i krijuar nga Hill International, Deloitte dhe LDK, janë kompani e atashuar e qeverisë shqiptare prej 4 vitesh me fonde të BE. Këta janë ekspertët tanë”.

Me një gjuhë të ashpër drejtuar opozitës, ministrja Balluku tha se prej 12 vitesh në krye të Ministrisë së Infrastrukturës nuk ka qenë asnjë drejtuar i Partisë Socialiste. Por vetëm 3 vitet e fundit, kjo Ministri është drejtuar nga socialistët Damian Gjiknuri dhe së fundmi nga vetë Belinda Balluku.

“Ekspertët tuaj kanë qenë 12 vite në Ministri të Transporteve. PS, Ministrinë e Transporteve e ka marrë në vitin 2017. E kuptoj shumë stresin tuaj, por pres të më tregoni ekspertët. Kush e mori vendimin që rruga duhet të bëhet me koncesion? Kush thoni ju? Unë besoj qeveria shqiptare, që është zgjedhur me votën e popullit”.

Ndërtimi i rrugës në të gjithë gjatësinë e saj prej 115 kilometra do të ndërtohet nga firma private që di të fitojë projektin në një garë ndërkombëtare.

“Qeveria shqiptare nuk vendos asnjë qindarkë. I gjithë investimi do të vijë nga investitori privat, i cili përmes një gare ndërkombëtare duhet të garojë me të tjerët. Kush mund t’i marri vendimet tjetër përveç se qeverisë shqiptare? Besoj shumë fort se ju nuk meritoni asnjë përgjigje. Kush jeni ju që abuzoni me çmimet dhe nxirrni shifra si ju do qejfi? Gjithçka në këtë republikë duhet ta zgjidhim nëpër gjykata? Autostradat paguhen me segmente siç paguhen në gjithë botën”. /tvklan.al