Për tu shpallur kampion duhet të kesh jo vetëm një skuadër të mirë, por edhe një goleador. Këtë po e përjeton Vllaznia, që këtë sezon po mbështetet maksimalisht te cilësitë e Bekim Balaj. Si një “bekim” i vërtetë, 34-vjeçari është shfaqur gjithmonë atëherë kur skuadra ka pasur nevojë. Shifrat e gjigantit të sulmit shkodran në këtë sezon janë tepër mbresëlënëse.

Ndaj Tiranës, Balaj u rikthye tek goli pas 7 takimesh mungesë, për të marrë rolin e shpëtimtarit në një takim tepër delikat. Dopieta i dha suksesin e radhës skuadrës kuqeblu, ndërsa e ngjiti të vetëm në krye të renditjes së golashënuesve.

Në 20 javë kampionat, Balaj ka shënuar 10 herë, madje në tre raste duke kontribuar me dopietë. Për më tepër, 34-vjeçari ka shënuar dy herë në të tre sfidat e këtij sezoni në portën e Tiranës, për t’i shndërruar bardheblutë në pre të preferuar.

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare ka shënuar në 7 ndeshje të ndryshme ku ka marrë minuta nga tekniku Tomas Bërdariç, teksa ka realizuar 1/3 e golave të Vllaznisë në këtë sezon, për një mesatare prej 1 goli çdo 180 minuta.

Shkodranët kanë grumbulluar 34 pikë deri më tani në vendin e tretë të Superligës, e ku 19 pikë janë marrë në sfidat ku Balaj ka gjetur rrugën e golit.

Ecuri që gëzon skuadrën dhe tifozët e klubit shkodran, që këtë sezon synojnë kthimin e titullit kampion në qytetin verior.

Klan News