Dy ndeshjet e javës së 26-të, rezervuan surpriza sa i përket rezultateve.

Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Elbasanit në shtëpi. Shkodranët e nisën mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh me Deliun në minutën e 11-të.

Megjithatë miqtë barazuan shifrat me Mustën, i cili shënoi me kokë në minutën e 24-t. Dy minuta më vonë, Vllaznia kishte mundësinë të rikthente avantazhin, por gjuajtja e Balajt nga penalltia, u prit nga portieri Abalora.

Ky barazim, e ngjit Vllazninë në vendin e dytë me 45 pikë, ndërsa Elbasani merr vendin e pestë me 31 pikë.

Humbje e hidhur për Partizanin, që u mposht 3-2 me përmbysje në shtëpi nga Bylisi. Të kuqtë e kryeqytetit shpërdoruan avantazhin e dyfishtë, pas golave të shënuar nga Taipi dhe Sembene.

Victor Da Silva ngushtoi diferencat në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë erdhi përmbysja. Mustapha barazoi shifrat në minutën e 71-të, para se Flamur Ruçi të shënonte golin e fitores në minutën e 92-të.

Me këtë rezultat, Partizani regjistron ndeshjen e pestë pa fitore dhe renditet në vendin e katërt me 40 pikë. Bylis renditet në vendin e shtatë me 28 pikë. /tvklan.al