“Çfarë manipulimi o perëndi. Propagandë e shëmtuar që njerëzit të besojnë sikur ju keni ulur qiellin në tokë…kadale bre burrëëë…se ka 0000 meritë në këtë punë. S’të kanë bërë nder njerëzit dhe të vunë kryetar që ti të dridhje çelësat, të mandatuan që të kryeje detyrat, ndaj je aty. Jo të na shesësh mend, por të punosh ditë natë për shqiptarët. Boll me hi syve!”

Ishte ky komenti i mësipërm të cilit Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në bashkëbisedimin “Sy m’Sy” më komentuesit në rrjetet sociale.

Rama u shpreh se nuk mund t’ja heqë askush meritën që e shndërroi kryeqytetin dhe e ngriti atë, siç tha ai, nga “varri”.

“Ja edhe Enisa Mulosmani se si reagon për videokujtesën e postuar sot në këtë faqe për Tiranën që kush nuk e ka parë mendoj që do të bënte mirë që ta shihte. Po Enisa nuk më kanë vënë njerëzit të dridhja zinxhirët, por ka një pyetje të cilët duhet t’i përgjigjesh para se të thuash që ti ke 0 meritë se ke bërë vetëm detyrë, por pse duhej të vija unë, se aty ishin të tjerët dhe ata për detyrë ishin vënë jo për të dridhur zinxhirët. Detyrën pra detyrën atë duhet të bëjnë të gjithë dhe te detyra dallohen edhe udhëheqësit edhe fshesaxhinjtë dhe të gjithë ata që janë ndërmjet këtyre të dyjave. Prandaj xhan unë nuk e kam ulur qiellin në tokë, por Tiranën nga varri e kam ngritur dhe këtë nuk ma heq dot askush. Kush nuk do ta shikojë, natyrisht nuk e shikon dhe kjo nuk është problem. Edhe një gjë tjetër, pse kur Tiranën e morri me dhunë ‘këneta’ ajo ngeci dhe as sahati i Tiranës nuk punonte, apo pse të gjithë jemi njësoj. Po jo pra jo, nuk jemi të gjithë njësoj dhe prandaj Tirana dhe Shqipëria nuk është gjëkundi njësoj qëkur unë dhe PS kemi marrë besimin e popullit, për ta udhëhequr këtë vend dhe për ta ngritur në atë majë ku askush tjetër nuk e ngjit dot”, u shpreh Rama.

Rama një tjetër komentuesi i thotë se qytetarët do të votojnë në 11 Maj Partinë socialiste për zhvillimin më të madh të vendit, sidomos zhvillimi të Tiranës.

“A thua Soni të jetë e vërtetë kjo, a thua se kushdo që të ishte prap se prap do të bënte piramida në 97, a thua se do t’i vinte kazmën kantierave të Zogut të Zi dhe të Sheshit Skënderbej për luftë politike me kryetarin e bashkisë, do ta ngrinte Tiranën nga varri në vitin 2000 dhe ta bënte qytet evropian me miliona turistë në vit. Nuk e di, por besoj se je gabim se i bije që sipas teje kot voton populli dhe kushdo që të jetë do të bëjë atë është për tu bërë. Por jo mor jo se Tirana është bërë nga ata që është bërë dhe jo nga ata që sa herë kanë pasur gjë në dorë e kanë zhbërë se po të ishte kjo puna e përbashkët kaq abstrakte dhe po ta bënte koha nuk do të ishte ca ndërto dhe ca shkatërro. Prandaj duan apo s’duan ata që s’duan historia e Tiranës evropiane është pikërisht historia e asaj videokujtese që çuditërisht ka mërzitur në vend që të të frymëzojë. Jo më kot në 11 Maj do të votojnë PS më shumë se hërë tjetër edhe për Tiranën të tjerat janë llafe i merr era dhe ngjarje që nesër do i përkasin harresës”, theksoi Rama.

Ndërsa një tjetër komenti se qeveria e tij nuk ka bërë zhvillim të vendit, por vetëm betonizim të tij, Rama rendit disa ndryshime të dukshme. Kreu i qeverisë e mbyll mesazhin e tij se “Do ta bëjmë Shqipërinë 2030 Europën e Ballkanit dhe Tiranën kryeqytetin e saj krenar”.

“A thua janë bërë që në kohë të Zogut apo mos e ke pak fare gabim. Të tëra këto rrugë që ti përmend janë zgjeruar dhe psh ajo rruga tek Pallati me Shigjeta nuk ekzistonte, por pemët thua janë aty që nga koha e Zogut apo janë mbjellë pjesa më e madhe në atë kohën që ti nuk e dashke fare,se për betonin nuk i hy fare është një debat shterpë për mua. Ndërsa historinë lerja historisë, mos ma ki merakun fare  sepse këtë Kaldahar e bëra kryeqytet europian bashkë me PS që ti nuk e do po s’ka problem se rëndësi ka që ne të duam, pavarësisht bindjeve që të errësojnë sytë. Do ta bëjmë Shqipërinë 2030 Europën e Ballkanit dhe Tiranën kryeqytetin e saj krenar”, e mbyll mesazhin e tij Rama./tvklan.al