Pas Romës, Parama ishte qyteti i radhës i takimeve që kryetari i PD, Sali Berisha po zhvillon me qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali.

Teksa kërkoi mbështetjen e tyre për PD në zgjedhjet e 11 Majit, Berisha bëri paralajmërime të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama, ja ku po të them nga Parma se hija e McGonigal do të të ndjekë ty gjer në ditën e fundit të jetës”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha se me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj ka rënë Tirana, siç do të bjerë edhe qeveria.

“Kur bie kryeqyteti, diktatura është e pashpresë. Ra Tripoli, iku Gadafi. Ra Damasku, iku Asadi. Ra Tirana, do ikë Edi Rama, do thejë qafën Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi kryeministrin se ka bërë çdo përpjekje për të ndaluar rikthimin e demokratëve në qeveri, ndërsa solli në vëmendje edhe deklaratat e nënpresidentit të SHBA, JD Vance.

“Armik më të rrezikshëm për Europën se rusi dhe kinezët, atë që arreston liderët e opozitës për të marrë mandatet. A kishte në atë sallë ndonjë lider që kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama? As edhe një tjetër”, tha Berisha.

Krahasoi atentatin ndaj Donald Trump, goditjen me grusht që iu bë atij në protestën e 6 Dhjetorit të vitit 2022.

“Në fotot e internetit, janë dy foto. Është fotoja e tij e përgjakur ku e gjuajtën, por është edhe një foto tjetër mijëra kilometra larg, kur Edi Rama dhe klika e tij i nxorri Sali Berishës një agjent të policisë kriminale dhe e goditi me shpresë se ai nuk do mund të fliste më”, tha Berisha.

Qeverinë e akuzon se favorizon investimet e bandave kriminale, ndërsa tregoi disa nga pikat e programit elektoral të PD.

“PD angazhohet për një transformim rrënjësor, të shpejtë, me rritjen 25% të rrogës minimale, me vendosjen e rrogës mesatare 1200 euro. Shqipëria të bëhet një epiqendër e rëndësishme e Hi-Tech në rajon dhe më gjerë, e kriptomonedhave, e inteligjencës artificiale”, tha Berisha.

Një thirrje pati edhe për diasporën.

“Është ora e 11 Majit, është dita juaj. Kurrë mos harroni se shqiptarët i lindin nënat për t’u dalë Zot Shqipërisë”, tha Berisha.

Kryetari i PD, pasditen e së dielës do të takojë në Athinë shqiptarët që jetojnë në Greqi.

Klan News