Në rrjetet sociale vijojnë replikat mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në Detin Jon. Basha i kërkon Ramës që të bëjë transparencë për marrëveshjen me Greqinë.
“Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”.
Nga ana tjetër, Kryeministri i është përgjigjur duke thënë se nuk ka asnjë marrëveshje dhe as negociata me Greqinë që pas ndërrimit të qeverisë në Athinë.
“Për çfarë transparence e ke fjalën Lulëzim, kur s’ka as marrëveshje, as negociata qysh se ka ndryshuar qeveria në Greqi, ndërkohë që as me qeverinë e mëparshme marrëveshja s’është arritur?!Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje, të kuptoj, lum ti medet ata”. /tvklan.al