Shkencëtarët kanë gjetur prova për një shpellë të madhe nëntokësore në Hënë që është e aksesueshme nga sipërfaqja. Kjo e bën si vendndodhjen kryesore për të ndërtuar në të ardhmen një bazë hënore.

Shpella duket e arritshme nga një gropë e hapur në “Detin e Qetësisë”, fusha ku shkelën për herë të parë në Hënë astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin. Sipas të dhënave që janë marrë nga shkencëtarët është zbuluar se në atë zonë ndodhet gropa më e thellë në Hënë ku ndodhet më tej një shpellë 45 metra e gjerë dhe deri në 80 metra e gjatë.

Ekspertët llogarisin që zona të jetë e madhe sa 14 fusha tenisi. Shpella shtrihet rreth 150 metra nën sipërfaqen e hënës. Lorenzo Bruzzone nga Universiteti i Trentos në Itali tha se shpella ishte me shumë mundësi një tub bosh llave, duke shtuar se ka karakteristika të tilla që mund të shërbejë si habitat për eksplorimet e ardhshme si “strehë natyrore kundër mjedisit të ashpër hënor”.

Gropat në Hënë nisën që të vëzhgoheshin më shumë se një dekadë më parë. Poshtë tyre ndodhen shpella si tunele që janë krijuar si pasojë e proceseve vullkanike. Këto shpella në të ardhmen mund të shërbejnë si baza hënore ose si strehë hënore emergjente sepse temperaturat brenda tyre janë të qëndrueshme. Kështu astronautët do të mbrohen nga rrezet e dëmshme kozmike, rrezatimi diellor dhe mikrometeoritet.

Të paktën 200 gropa janë zbuluar në Hënë. Teksa njerëzimi përgatitet për t’u rikthyer në Hënë, agjencitë hapësinore po mundohen të zgjidhin se si të shfrytëzojnë stabilitetin strukturor të shpellave dhe të përforcojnë muret e tavanet e tyre. Habitatet mund të kenë nevojë gjithashtu për sisteme monitorimi për të paralajmëruar lëvizjen ose aktivitetin sizmik, ku në raste të tilla astronautët të kenë vende të posaçme për t’u tërhequr nëse ndodhin.

“Sistemet e shpellave hënore janë propozuar si vende të shkëlqyera për të vendosur bazat e ardhme të ekuipazheve, pasi tavani i trashë i shpellës është ideal për të mbrojtur njerëzit dhe infrastrukturën nga ndryshimet e egra të temperaturave në sipërfaqen hënore”, tha Katherine Joy, profesore në Universitetin e Mançesterit.

Megjithatë një nga sfidat më të mëdha të ekspertëve është se si do të mund t’i aksesojnë këto shpella.

“Është e mundur të hysh e të dalësh, por të duhet infrastrukturë e konsiderueshme”, tha Robert Wagner nga Universiteti Shtetëror i Arizonës./tvklan.al