Mali i Zi dhe Shqipëria me rritjen më të lartë në rajon

Banka Botërore ka dhënë shpresë në raportin e Prespektivës Ekonomike Globale të vitit 2021, duke vlerësuar se vaksina dhe vënia nën kontroll e Covid-19 do të rikthejë rritjen në ekonominë botërore.

Rritja ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jetë këtë vit 3.5%, duke supozuar që besimi i biznesit dhe konsumatorit do të rikthehet, bashkë me stabilitetin politik.

Mali i Zi dhe Shqipëria projektohet të kenë rritjen më të madhe në rajon, 6.1% për Malin e Zi dhe 5.1% për vendin tonë, edhe pse me ulje në kontrast me vlerësimin 8.8% në raportin e Qershorit.

“Vendet e varura nga turizmi, sidomos Shqipëria dhe Mali i Zi, projektohet të kenë një rikuperim më të lartë se shtetet e tjera të rajonit. Detyrimet fiskale të rritur në rajon kanë ngushtuar hapësirën për mbështetje fiskale, ndërsa buxhetet e qeverive pritet të jenë më të shtrënguara për të zbutur pasojat e pandemisë në ekonomi”.

Një tjetër faktor që pritet të ndikojë pozitivisht në ekonomitë e Ballkanit, janë reformat që pritet të merren nga këto shtete të cilat aspirojnë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

“Rritja afatmesme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut do të përshpejtohen nga reformat strukturore për të hyrë në Bashkimin Europian, duke supozuar se hapja e negociatave nuk do të vonohet më shumë. Rajoni po ashtu pret të përfitojë edhe një plan ekonomik investimesh nga Bashkimi Europian”.

Ekonomia globale pritet të rritet me 4% këtë vit, edhe pse poshtë potencialeve të saj, vlerëson Banka Botërore, ndërsa prodhimi dhe investimet pritet të zgjerohen të mbështetura nga vaksinimi i vazhdueshëm.

Tv Klan