Mesa duket Shqipëria është një kandidate potenciale për të mirëpritur ndeshjen mes Anglisë dhe Islandës për Nations League të mërkurën tjetër. Lajmi bëhet i ditur nga BBC, sipas së cilës kjo vjen pasi Mbretëria e Bashkuar ka vënë rregulla të reja sa i përket lëvizjeve për shtetasit jo britanikë që vijnë nga Danimarka.

Islanda do të luajë me Danimarkën në Kopenhagen tre ditë përpara se të ndeshet me Anglinë në datë 18 Nëntor.

“Sidoqoftë nëse kufizimi i lëvizjes vazhdon të jetë në fuqi, Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë e gatshme të ndihmojë ekipet në zgjedhjen e një vendi neutral. FSHF po pret miratimin qeveritar, por është duke vlerësuar çdo mundësi”, shkruan BBC.

Që prej Qershorit shumë ndalime janë bërë për shkak të koronavirusit. Dhe Danimarka rriti kufizimet sepse vendi u has me një shpërndarje të madhe të virusit nga nuselalat tek njerëzit. Në bazë të rregullave të UEFA, një ndeshje mund të shtyhet për një datë më të përshtatshme në një territor më neutral./tvklan.al