Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Listës Serbe që të shqyrtojë vendimin e dy ditëve më parë për të bojkotuar votimin për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktual shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Sipas BE-së është e rëndësishme që serbët të marrin pjesë në këto votime që pastaj t’u hapet rruga zgjedhjeve në këto katër komuna.
“Shprehim keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos merr pjesë në votimet e planifikuar për datën 21 Prill në katër komunat veriore. Ne i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen edhe elektoratit serb të Kosovës dhe të shfrytëzojnë të drejtat e tyre dhe të shprehin mendimin e tyre politik në kutinë e votimit.”
Sipas saj, megjithëse zgjedhjet lokale të Prillit 2023 u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ato nuk ofruan një zgjidhje politike afatgjatë pasi bojkoti i serbëve të Kosovës rezultoi në një pjesëmarrje shumë të ulët të përgjithshme.
Gjithashtu, BE i ka bërë thirrje qytetarëve serbë të veriut që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për të cilën Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkot.
Tv Klan