Kina dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të fillojnë bisedimet për vendosjen e tarifave për automjetet elektrike të prodhimit kinez që importohen në tregun evropian.
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se ishte informuar nga komisioneri i BE-së Valdis Dombrovskis se do të kishte negociata konkrete për tarifat me Kinën.
“Këto tarifa nuk janë tarifa ndëshkuese ashtu siç kanë bërë vendet e tjera, vetëm duke mbrojtur tregjet e tyre dhe duke thënë se ne shpikim një tarifë kaq të lartë. Këto janë tarifa që ligjore dhe për këtë arsye ekziston mundësia për të argumentuar apo diskutuar për ato. Kjo është ajo që u sugjerova partnerëve të mi kinezë, që dyert të jenë të hapura për diskutime dhe shpresoj që ky mesazh të dëgjohet. Tarifat janë vetëm raporti përfundimtar. Unë nuk i dua ato, askush në Evropë nuk i do tarifat.”
Vizita e Habeck është e para nga një zyrtar i lartë evropian që kur Brukseli propozoi tarifa për importet e automjeteve elektrike të prodhuara nga Kina. Habeck tha se ka kohë për një dialog midis BE-së dhe Kinës mbi çështjet tarifore përpara se detyrimet të hyjnë në fuqi të plotë në nëntor dhe se ai beson në tregje të hapura, por tregjet kërkojnë një fushë loje të barabartë.
Gjatë vizitës ministri gjerman i ekonomisë bëri të ditur se kishte marrë garancinë se Pekini nuk do të furnizonte Rusinë me mallra ushtarake pasi mbështetja kineze për qeverinë ruse po dëmton marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Evropës dhe Kinës.
BE do të vendosë tarifa deri në 38.1% për makinat elektrike të importuara nga Kina duke filluar nga korriku. Vendimi erdhi një muaj pasi Uashingtoni katërfishoi tarifat për automjetet elektrike kineze në 100%. Kjo barazohet me miliarda euro kosto shtesë për prodhuesit e makinave në një kohë që ata po luftojnë me ngadalësimin e kërkesës dhe rënien e çmimeve në bllok.
Lëvizja vjen pasi prodhuesit europianë të automjeteve po sfidohen nga një fluks i automjeteve elektrike me kosto më të ulët nga rivalët kinezë.
Klan News