Pezullohen vizat Shengen zyrtarëve të Lukashenkos

Komisionerja Johansson tha se Brukseli do të veprojë ashpër ndaj administratës “të dëshpëruar dhe jolegjitime” të Lukashenkos dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme për të destabilizuar Bashkimin Europian nëpërmjet emigrantëve të paligjshëm në kufijtë e Polonisë dhe Lituanisë.

Komentet e saj pasojnë një rritje të tentativave për kalime të paligjshme te qindra emigrantëve nga lindja e mesme në kufirin Poloni-Bjellorusi.

Brukseli beson se regjimi i Bjellorusisë po inkurajon emigrantët nga vende të tilla si Iraku, Siria, Afganistani dhe Kameruni që të hipin në fluturimet për në Minsk, ku atyre u jepen viza dhe akomodim dhe më pas u thuhet të shkojnë drejt kufirit polak.

“Kjo është një situatë ku Bashkimi Evropian duhet të veprojë i vendosur dhe i bashkuar ndaj Lukashenkos. Kjo nuk është kryesisht një krizë migracioni. Ky është një agresion nga një regjim i dëshpëruar, i paligjshëm. Dhe përgjigja jonë duhet të jetë sipas kësaj”.

Më shumë se 30,000 emigrantë janë përpjekur të kalojnë kufirin Poloni-Bjellorusi këtë vit. Më shumë se 15,000 kalime u regjistruan vetëm në Tetor. Lituania dhe Letonia, të cilat gjithashtu kanë kufij me Bjellorusinë, janë prekur gjithashtu. Kriza është përshkruar si hakmarrja e Lukashenkos kundër sanksioneve të shumta të BE-së të vendosura ndaj Bjellorusisë, të cilat përfshijnë 166 individë dhe 15 kompani. Ato u nisën pas goditjes së disidencës në vend, pas protestave pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të Bjellorusisë.

Për Johansson, prioriteti më urgjent është ndalimi i mbërritjeve në aeroportin e Minskut. Komisioni Europian ka paraqitur tashmë mundësinë e sanksionimit të linjave ajrore jo të BE-së që besohet se janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore.

Komisionerja ishte evazive kur u pyet për mundësinë e financimit të mureve me tela me gjemba dhe gardheve nga buxheti i BE-së.

Klan News