“Shqipëria mbetet një mbështetëse e madhe e bashkëpunimit rajonal, në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian.” Kështu u shpreh nga Shkupi Presidenti Bajram Begaj gjatë një konference të përbashkët me homologen e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova dhe atë të Malit të Zi, Jakov Milatović.
Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë: Shqipëria mbetet një mbështetëse entuziaste dhe pro aktive e bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunim i cili përmirëson jetën e qytetarëve tanë, forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si dhe ndihmon proceset integruese Euro-Atlantike.
Kryesimi nga Tirana për herë të tretë i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore sipas Presidentit Begaj, do të bazohet në përvojat dhe sukseset e mëparshme.
Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë: Nga Korriku i këtij viti, Shqipëria merr kryesimin e kësaj organizate e cila do të shënojë herën e tretë që Shqipëria kryeson këtë organizatë të rëndësishme. Bazuar në këto eksperienca dhe në sukseset e kryesimeve të deritanishme ne do të fokusohemi në një seri prioritetesh, që përfshijë procesin e integrimit në BE, rritjen e qëndrueshme ekonomike, axhendën e gjelbër dhe digjitale, turizmin, kulturën dhe ndërlidhshmërinë.
Kryesimi i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore nga Shqipëria do të jetë përgjatë viteve 2024-2025.
Klan News